Cana: Shiriti i kapitenit, një nder i madh
Lorik Cana kërkon të shpërblejë besimin e dhënë nga trajneri Stiv Brus, i cili i ka besuar shqiptarit shiritin e kapitenit. 26-vjeçari është shndërruar në liderin e Sandërlendit, edhe pse i është bashkuar skuadrës angleze vetëm pak kohë më parë. Duelet e ashpra në mesfushë kanë bërë që mesfushori i Kombëtares shqiptare të bëhet lojtari i preferuar i tifozëve në "Stadiumin e Dritave". Kuqeziu deklaroi: "Është një nder shumë i madh të jesh kapiten i skuadrës. E kam pasur një rol të tillë edhe më parë, gjatë periudhës kur luaja në Marsejë, por të them të drejtën nuk mendoja se do të më besohej shiriti brenda një kohe kaq të shkurtër. Natyrisht që e pranoj me kënaqësi detyrën time të re. Jam krenar për familjen time dhe për njerëzit e mi dhe do të jap maksimumin në çdo ndeshje, për t‘i shpërblyer klubit besimin që ka treguar tek unë. Këtë përpiqem të bëj gjithmonë, sa herë që zbres në fushë. Jam krenar që do të jem kapiten dhe do të jap më të mirën". Cana mbajti për herë të parë shiritin në sfidën e fituar 4:1 me Hull Sitin. Ai ka falënderuar partnerin e mesfushës, Li Ketërmol, për ndihmën që i ka dhënë për t‘u përshtatur sa më shpejt me stilin e lojës në Premierligë. "Li më ka ndihmuar shumë gjatë këtyre ndeshjeve të para. Mendoj se jam me fat që luaj përkrah tij këtu te Sandërlendi", shtoi mesfushori. Pas elozheve nga trajneri Brus, fjalët e mira për Canën nuk i kurseu as sulmuesi Daren Bent, një tjetër blerje e re e skuadrës. "Bomberi" tha: "Kundër hull-it, Cana ishte i shkëlqyer. Ai e përdor mirë topin, jep pasime të mira dhe nuk nguron të gjuajë drejt portës. Mendoj se ai do të bëhet padyshim një prej idhujve të tifozerisë".