16 shtator 2009

Inferiorët njohin rivalët në Kupë

Kupa e Shqipërisë do të startojë zyrtarisht me takimet e turit të parë eliminator, që do të zhvillohen të mërkurën, më 23 shtator. Të parat që do të zbresin në fushë janë inferioret (skuadrat e Kategorisë së Dytë). Në Grupin e Veriut, Naftëtari pret Çlirimin, Mamurrasi luan me Korabin, Erzeni ka përballë Ilirinë, ndërsa Luzi është përballë Përparimit. Çiftet në Grupin e jugut janë Vlora-Këlcyra, Tomori-Përmeti, Domosdova-Maliqi dhe Delvina-Himara. Vetëm një javë më pas, pra më 30 shtator, katër skuadrat fituese të secilit grup do të luajnë në turin e dytë të Kupës. Pas kësaj, në fushë do të zbresin "peshat e rënda". Në turin e tretë të aktivitetit të dytë për nga rëndësia në vend, 28 skuadrave elitare (12 nga Superiorja dhe 16 nga Kategoria e Parë) do t‘u shtohen edhe 4 "inferiore" (dy fituese nga secili grup) për të plotësuar numrin e 32 skuadrave që ndahen në 16 çifte. Me strukturën e re të UEFA-s, Kupa ka marrë më shumë rëndësi, pasi fituesi i këtij trofeu luan në turin e dytë të Ligës së Europës.