16 shtator 2009

Vllaznia-Dinamo, Lika në "gijotinë"

Dinamo është trumbetuar si një shans i fundit që i jepet një pjese të madhe të futbollistëve të Vllaznisë, por jo vetëm. Duket se një tjetër i rrezikuar i madh do të jetë edhe trajneri i kuqebluve, Hasan Lika, koka e të cilit tashmë është në "gijotinë". Edhe pse publikisht drejtuesit e klubit i kanë dalë në mbrojtje trajnerit, burime të besueshme pranë kapit shkodran kanë theksuar se, nëse Vllaznia nuk do të bëjë kthesën në javën e katërt kundër kryesuesve të tabelës, atëherë tekniku Lika duhet të bëjë gati valixhet. Ish-trajneri i Partizanit njihet si një nga teknikët shqiptarë më profesionistë në qarkullim në këto momente, por gjithsesi ecuria e tij në krye të skuadrës shkodrane ka lënë shumë për të dëshiruar. Deri tani kuqeblutë kanë koleksionuar një fitore dhe dy humbje në këto 3 ndeshjet e para të këtij sezoni, dhe me 3 pikët e grumbulluara pozicionohen në vendin e nëntë në tabelën e klasifikimit. Edhe vetë trajneri ka theksuar se ka përgjegjësi edhe ai për këtë periudhë negative.