07 mars 2011

“Zonja”, një agjërim që zgjat plot 330 minuta

Bardhezinjtë kanë pësuar tri humbje radhazi dhe nuk shënojnë në kampionat prej një muaji

Një humbje me Milanin mund të jetë e pranueshme. Por të mos shënosh prej një muaji është më pak e pranueshme. Mbi të gjitha nëse quhesh Juventus. Skuadra e Del Nerit, nuk e çon topin në rrjetë që nga 13 shkurti, pra 330 minuta, kur në “Olimpiko” ndëshkoi rivalët e urryer të Interit me një gol të Matrit.

Nga ai moment bardhezinjtë kanë ecur në një errësisë dëshpëruese: tri ndeshje (Leçe, Bolonja dhe Milan), zero pikë, zero gola. Pak gjuajtje në portë dhe faktori fushë që nuk i ndihmon aspak. Një ecuri më shumë se shqetësuese, që duket se nuk ka zgjuar akoma dëshirën për t’u ringritur të skuadrës dhe nuk largon frikën e madhe që po shqetëson tifozët bardhezinj.

Një gjë është e sigurt: me 5 humbjet e marra në 9 ndeshjet e fazës së dytë, ecuria e Juventusit është më shumë se zhgënjyese. E dëshpëruar, e papranueshme, ose thjesht skuadra më e keqe e kampionatit. Dhjetë pikë në total: fryt i vetëm dy fitoreve bindëse të marra në harkun e pak ditëve, në Kaljari dhe kundër Leonardos, i një suksesi jo shumë bindës (në Torino kundër Barit) dhe i një barazimi me Sampdorian.

Ajo e Juventusit është një krizë e vërtetë. Të marrim sulmin. Në janar, për shkak të një force madhore, u blenë Toni dhe Matri, deri tani 4 gola të dy. Por, bardhezinjtë në tri ndeshjet e fundit nuk kanë shënuar. Ndonjëherë, si me Milanin, kjo ide as që i ka shkuar në mendje.

As zotëria 12 milionë euro, që mban emrin Horge Martinez, nuk ka dhënë një kontribut të vlefshëm. As rikthimi i Iakuintës pas shumë dëmtimesh apo dëshira e Del Pieros. Zero. Juventusi nuk shënon dhe nuk krijon raste. Vetëm ndonjë zgjidhje nga goditjet standarde.

Mungesa e golit, që zgjat prej 330 minutash, ka ndodhur vetëm një herë më parë në sezonin ‘97-’98, kur Lipi ishte i detyruar të japë dorëheqjen (i zëvendësuar nga Ançeloti) pas 5 ndeshjesh pa gola.

Kapitulli “Mbrojtje”. Ndërsa Del Neri po sforcohet për t’i gjetur pozicionin e duhur Kielinit dhe Barzaljit, duke aktivizuar në krahë lojtarë që nuk janë plotësisht të përshtatshëm për Juven, mbrojtja bardhezi është më e mposhtura e Italisë në ndeshjet e luajtura në shtëpi (22 gola të pësuar, Palermo është e parafundit me 21).

Në fazën e dytë faktori fushë është neutralizuar në ndeshjet kundër Udinezes (1-2), Bolonjës (0-2) dhe Milanit (0-1). Pesë humbje në shtëpi të këtyre përmasave janë me të vërtet shumë për një skuadër që synon të sigurojë një vend në Champions.

Juventusi ka grumbulluar 41 pikë, 4 më pak në krahasim me javën e 28-të të kampionatit të kaluar, kur në stol ishte Alberto Zakeroni. Drejtuesit bardhezinj vazhdojnë të thonë se nuk ka ngjashmëri me vitin e kaluar (një zhgënjim total) dhe se gjërat ecin më mirë. Siç duket, te Juventusi, të paktën duke iu referuar shifrave, kanë probleme edhe në bërjen e llogarive.
/JUVENEWS.TK/