07 mars 2011

Marota: Me Xhixhin deri në fundin e sezonit

Juventusi do të vazhdojë përpara me Xhixhi Del Nerin. Këtë e ka konfirmuar administratori i deleguar i bardhezinjve, Bepe Marota, pas humbjes me Milanin. “Klubi, - ka thënë Marota, - duhet të bëjë disa analiza objektive dhe të kuptojë nëse trajneri ka faj.

Ne e thamë para ndeshjes dhe tani e konfirmojmë: përgjegjësitë duhen ndarë midis të gjithëve: klubit, trajnerit dhe lojtarëve. Nuk është rasti të vihet në bankën e të akuzuarve vetëm Del Neri, do të vazhdojmë përpara kështu”. Edhe pse kanë rëndësi edhe zgjedhjet e fillimit të sezonit, që janë mbështetur nga i gjithë ambienti bardhezi:

“Kemi ndërmarrë rrugën e një rinovimi të madh me 12 lojtarë të rinj dhe për t’u rinovuar duhen shumë ndryshime. Objektivi kryesor ishte Liga e Kampionëve, por ky sezon nuk ka qenë pozitiv dhe do të na shërbejë si eksperiencë. Ka akoma edhe dhjetë ndeshje.

Eshtë e drejtë që tifozët të jenë të pakënaqur: kur Juventusi humb tri ndeshje radhazi është e drejtë që të jenë të zhgënjyer, e rëndësishme është që ta shprehin këtë zhgënjim në mënyrë të përmbajtur. Tani duhet të mendojmë të dalim nga kjo situatë duke qëndruar të bashkuar”.
/JUVENEWS.TK/