22 mars 2011

UEFA i jep edhe një goditje futbollit Kosovar

Prishtinë, 22 mars - Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i ka dhënë edhe një goditje të rëndë futbollit kosovar. KE-ja e UEFA-s, të hënën në Paris, ka aprovuar formatin për përfaqësueset evropiane të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2014, që do të mbahet në Brazil. Dhe, në bazë të këtij formati është vendosur që 53 përfaqësueset që aktualisht janë nën ombrellën e UEFA-s të ndahen në 9 grupe, ku tetë do të kenë nga gjashtë ekipe, kurse një do të jetë i përbërë me pesë ekipe. I njëjti format ishte aplikuar edhe në kualifikimet e botërorit "Afrika e Jugut 2010". Me këtë aprovim, që pritet të ratifikohet edhe nga FIFA, Kosovës nuk i ngelet vend për pjesëmarrje në gara edhe nëse ndërkohë pranohet në UEFA.

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës shpresonin që këtë cikël eliminator ta zinin, por tani edhe ata janë dorëzuar para një akti të kryer, që s'mund të zhbëhet. Tani, Përfaqësuesja e Kosovës duhet të presë minimum edhe tre vjet e gjysmë për të luajtur një ndeshje zyrtare, gjithsesi nëse pranohet deri në atë kohë. Cikli i ardhshëm eliminator do të jetë ai për "Euro 2016", e që fillon në shtator të vitit 2014.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, shprehet se ky nuk është aspak lajm i mirë dhe përsëriti se problemi kryesor është faktori politik. Ai tha se FFK-ja ka bërë përpjekje maksimale që Përfaqësuesja e Kosovës të futet në formatin e kualifikimeve për Botërorin e vitit 2014.
"Nuk kemi çka të bëjmë dhe duhet të pajtohemi me këtë. Sigurisht se është një goditje e rëndë, por UEFA ka vepruar shumë herët për të marrë këtë vendim, sepse ky vendim është dashur të merrej diku në muajin tetor të këtij viti, që do të na jepte edhe pak kohë", tha Salihu. "Ne jemi munduar dhe kemi bërë të pamundurën që krahas pranimit t'i arrijmë edhe këto kualifikime, gjë që ishte shumë e vështirë. Kemi bërë të gjitha përpjekjet, por këtu shumë mirë po shihet se po ndikon faktori politik, sidomos tek UEFA".

Salihu tha se FFK-ja nuk e ka ndërmend të demoralizohet, por, përkundrazi, të vazhdojë lobimin për pranim sa më shpejt. "Pas kësaj synimi ynë mbetet ai që ishte, pra pranimi dhe vetëm pastaj të presim për kualifikimet e tjera", tha Salihu. Për pak ditë UEFA pritet të shqyrtojë edhe kërkesën e FFK-së për lejimin e miqësoreve. Kjo kërkesë në fakt i ishte bërë FIFA-s, por FIFA e dërgoi në UEFA për shqyrtim.
/JUVENEWS.TK/