Sa ka ndryshuar jeta e Roberto Baxhios nga momenti kur ka vendosur të largohet nga jeta e qetë e fshatit për të marrë përsipër përgjegjësi, duke provuar ta kthejë në fituese, rrugën e re të futbollit italian. Talenti i madh italian, i intervistuar për revistën javore të Champions Ligës, që realizohet nga Uefa, ka folur për detyrën e tij të re në Federatën italiane të futbollit, duke ftuar të mos e zvogëlojnë rëndësinë e detyrës që ka: "Nuk dëshiroj të limitohem me një punë rutinë të zakonshme, shprehet Baxhio, por jam i vendosur të lejë një shenjë mbi punën e ardhshme të trajnerëve që do të merren me lojtarët e rinj italianë. Duhet të ndjek më shumë se 35 mijë trajnerë dhe unë vetë kam marrë licencën e trajnerit të sektorit të të rinjve për të qenë gati për këtë detyrë dhe për të kuptuar më mirë sesi mund të përmirësohen gjërat. Por nuk do të shndërrohem asnjëherë në një trajner profesionist. Ka shumë tension dhe presion. Nuk dëshiroj të shkatërroj harmoninë e re në jetën time familjare, që është edhe gjëja më e rëndësishme për mua". Ish-fantazisti i Interit, Juventusit dhe Milanit, nuk ka asnjë keqardhje për jetën që ka kaluar në fushën e lojës: "Kam qenë në qarkullim për shumë vite: grumbullime, ndeshje, udhëtime, transport i gjatë, skadenca dhe presion në çdo moment. Jam larguar, sepse kisha mbërritur në një pikë fundore edhe për shkak të shumë dëmtimeve që kisha pësuar në gju. Mos harroni që kam bërë gjithçka vetëm me një këmbë e gjysëm".
Pyetjes së drejtuar se çfarë e ka shtyrë të kthehet, nga dera e prapme, në botën e futbollit, Robi Baxhio i përgjigjet thjeshtë: "Tani kam rikuperuar forcat, fizikisht dhe mendërisht, dhe jam gati për këtë sfidë të re. Jam plot entuziazëm. Dhe mund t'i ofroj këshillat e mia të rinjve italianë. Mbi të gjitha për mënyrën sesi të arrijnë të përballojnë kundërshtarët dhe presionin që ekziston në momente të caktuara në karrierën e tyre". Më pas, Baxhio ka ftuar të merret shembull Lionel Mesi, "që luan si një fëmijë në parket. Futbolli i tij është komplet i pavarur nga taktika", dhe zbulon se është i apasionuar pas Boka Juniors: "Kam parë tifozët e tyre të këndonin pa pushuar edhe përballë një humbje 0-4, në Amerikën Latine mendohet për futbollin në mënyrën e duhur". Në mbyllje, fjalë të bukura edhe për Pep Guardiolën, një mik dhe fati i vërtetë për argjentinasin Lionel Mesi: "Fati i tij është të ketë një trajner si Pep Guardiola. E njoh shumë mirë Pep nga periudha kur unë dhe ai luanim bashkë tek Breshia. Gjithçka që ka të bëjë me Barcelonën më pëlqen jashtëzakonisht shumë".
Numra dhe magji, vlerësime dhe fitore, dëmtime dhe zhgënjime. Ato që janë kaluar me dy trajnerë të mëdhenj dhe dy legjenda të bankinës, siç janë Arrigo Saki dhe Marçelo Lipi, por me të cilët Baxhio ka pasur gjithmonë probleme: "Nuk kam kuptuar asnjëherë me të vërtetë motivin e të gjithë këtyre problemeve me ta. Mbase kanë qenë xhelozë për dashurinë e madhe të njerëzve ndaj meje. Më kanë dashur shumë edhe tifozët kundërshtarë. Mbase i vidhja atyre skenën në një epokë, në të cilën trajnerët janë gjithmonë e më shumë protagonista, mbase edhe më shumë se skuadra dhe kampionët. Futbolli modern synon të vlerësojë narcizimin e atyre që qëndrojnë në bankinë". Siç ka pasur mundësi ta thotë shumë herë, e vetmja keqardhje është ajo penallti e humbur në Botërorin Amerikë 1994. "Ka përfunduar tre metra sipër traversës. Diçka e pabesueshme për një njeri si unë që nuk kishte goditur asnjëherë një penallti jashtë porte. Maksimumi ishte arritur të pritej nga portieri. Tifozët brazilianë kanë thënë gjithmonë që është një ngjarje mbi njerëzore. Falenderojnë Airton Senën, sepse thonë që vetëm ai, që kishte vdekur dy vite më parë në një garë në Imola, nga parajsa mund të dërgonte atë top jashtë porte". /JUVENEWS.TK/