Gladiatori i paharrueshëm juventin i qëndron skuadrës afër dhe bën atë gjë, për të cilën Agnelli e kontaktoi në fillim të sezonit. Ai mundohet të përcjellë eksperiencën dhe pasionin e tij në skuadër. Ditën e djeshme Nedved ka folur me “senatorët” e ekipit, Buffon dhe Iaquinta dhe u ka kërkuar atyre që të marrin peshën e skuadrës mbi supe dhe ta karikojnë atë në prag të supersfidës me Milanin.
Juventus po kalon një periudhë të vështirë ku nuk po kuptohet vlera e vërtetë e lojtarëve. Bonucci dhe Krasic, dy fenomenë në Vjeshtë, po rezultojnë 2 zhgënjime në Dimër. Mallkimi i dëmtimeve vazhdon me sezonin e përfunduar për Sissoko, 10 ditët jashtë fushe për Aquilani dhe dëmtimet e të të “padëshiruarve” Grosso dhe Salihamidzic.
Dëmtimeve u shtohen edhe ankesat e tifozëve, disa prej të cilëve shpresojnë në një humbje kundrejt Milanit, për të mundësuar shkarkimin e Del Nerit. Situata na bën të krijojmë paralelizma me Lazio-n e vitit që shkoi, ku tifozët lazial gëzonin pas golave të pësuar kundër Interit vetëm sepse kjo gjë kompromentonte kampionatin e “kushurinjëve” të Romës.
Situata në Vinovo mbetet e tensionuar por Del Neri ka vazhduar punën e tij edhe këto ditë me nga 2 seanca stërvitore. Buffon ka mbështetur punën e tij, duke u shprehur se rezultatet negative nuk janë kurrësesi pasojë e paaftësisë së Del Neri-t.
Nuk na mbetet gjë tjetër, vecse të presim supersfidën e të shtunës për të mësuar pak më shumë rreth drejtimit të ardhshëm teknik të Juventusit. /fcjuventus-news.tk/