09 mars 2011

“Qëndroj te Juvja dhe martohem me Alenën”

Portieri bardhezi Xhixhi Bufon i premton besnikëri “Zonjës”: Në qershor çoj në altar Seredovën

Alena, Aleks dhe Juventusi. Është bota e mrekullueshme e Xhixhi Bufonit, i cili në mes të qershorit do të çojë në altar, në Pragë, Alena Seredovën, me të cilën ka dy fëmijë, Luis Tomas dhe David Li. “Nuk jam ndonjë romantik i madh, - deklaron portieri bardhezi. - I kërkova Alenës në dhjetor që të martohemi, gjatë një darke.

Dhe ajo u mendua disa ditë, para se të thoshte “po”. Alena është një grua direkte dhe është e besueshme: nëse martohesh, e di që mund të besosh gjithnjë tek ajo. Jam në duar të mira!”. Edhe Juventusi ndihet në duar të sigurta, pas njoftimit të numrit dhjetë për ta mbyllur karrierën te bardhezinjtë:

“E ndoqa skuadrën edhe në Serinë B dhe di që kam përfituar shumë në profilin njerëzor: tifozët kanë për mua një dashuri të madhe. Për të ardhmen kam idenë që të qëndroj. Uroj që të qëndrojë edhe Del Piero, futbollist që vjen para të gjithëve në historinë e Juventusit”.

Pavarësisht problemeve, Del Piero është gati, dhe dje në mëngjes ka shfaqur të gjithë përkushtimin dhe profesionalitetin e tij. Në fund të stërvitjes, Del Neri ka biseduar për dhjetë minuta me kapitenin. Të dy kanë folur përpara se të shkonin në dhomat e zhveshjes.

Një sqarim pas pesë qëndrimeve të fundit në stol radhazi të Alesandros? Po, sepse pasi është aktivizuar me vazhdimësi në fazën e parë të kampionatit, Del Neri e ka “parkuar” kohët e fundit 37-vjeçarin në stol, duke e futur në fushë për pak minuta.

Megjithatë, takimi me të mund të jetë edhe një paragrumbullim për sulmin anti-Çezenë? Më shumë mundësi ka hipoteza e dytë, sepse Toni e ka kaviljen e majtë të fryrë dhe dje ka punuar i vetëm në palestër. Sidoqoftë Del Neri synon ta ketë në stol të shtunën në mbrëmje gjigantin e sulmit.

Alternativë për ish-sulmuesin e Xhenoas, është Iakuinta, që në të vërtetë nuk po përjeton një moment të mirë forme. Ja pse kapiteni mund të jetë i vlefshëm, kohët e fundit i lënë si zgjedhje e katërt në stol. Aleks kandidon të kthehet mes titullarëve në ndeshjen ku Juvja duhet të rigjejë golin, fitoren dhe një farë qetësie.

Ndërkohë skuadra ka zbritur në fushë në mëngjes dhe punoi gjatë në aspektin teknik. Në fillim u bë një nxemje specifike me topin. Më pas Del Neri bëri me lojtarët disa ushtrime atletike, të bazuara para së gjithash në ndryshime të drejtimit dhe më pas u zhvilluan një seri ndeshjesh brenda familjes.

Grupi u nda në skuadra nga katër lojtarë secili. Formacionet e ndryshme u përballën me radhë: tetë elementë plus portierët në fushë dhe tetë të tjerët nga ana tjetër. Në veçanti punuan Akuilani, De Çelje, Xhiandonato, Groso, Salihamixhiç e Sorensen. /JUVENEWs.TK/