09 mars 2011

Maskerano, një tjetër ide për “Zonjën”


Argjentinasi luan pak në Barcelonë dhe nuk është i kënaqur. Por Pirlo është hipoteza e parë

“Zonja e vjetër” është e gatshme të bëjë ngritjen e shumëpritur. Sezoni aktual është cilësuar shumë zhgënjyes, gjithmonë duke e krahasuar me synimet e fillimvitit, kështu që po përgatitet një revolucion i vërtetë teknik, nga pankina deri tek repartet e ndryshme të skuadrës.

Sektori i parë, i cili do të preket është mesfusha: ëndrra është marrja e dyshes Maskerano-Pirlo. Sipas “Daily Mail”, Juventus do të rikthehet tek pista e qendërmesfushorit argjentinas, i cili ka zhvilluar një ndeshje të mirë në takimin e fundit të Barcelonës ndaj Real Saragozës.

Hapësira tek “blaugranat” është për momentin e zënë nga lojtarë të tillë si Ksavi, Buskets dhe Injesta. Eshtë pikërisht kjo arsyeja që bardhezinjtë mund të bindin Maskeranon për një transferim në Itali, duke i premtuar vendin e titullarit.

E vështirë duket tratativa për Andrea Pirlon, nuk do të jetë e lehtë t’ia marrin Milanit regjisorin breshian, edhe pse është në skadencë të kontratës. Mosha dhe paga e lartë, nuk përshtaten për klubin torinez. Juventusi po kërkon edhe mbrojtës anësor me kualitet.

Në të majtë favorit është braziliani Mishel Bastos i Lionit, por drejtuesit janë të fokusuar edhe tek holandezi Elia, i cili luan për Hamburgun, dhe tek MekGedi, irlandezi që luan me Spartakun e Moskës, i cili i pëlqen edhe Zenitit të Spaletit.

Luçiano Spaleti është i preferuari për pankinën, por duhet parë nëse rusët e Zenitit janë të gatshëm për t’u futur në tratativa. Duke u kthyer tek çështja e mbrojtësve anësorë, për krahun e djathtë ndiqen Bek i Hofenheimit, Kasani i Palermos dhe interisti Santon.

Si trekuartist, dëshira është e madhe për Havier Pastoren, i cilësuar si ideal për skemën 4-2-3-1 të Spaletit. Por për të bindur Palermon, mund të futet në diskutim Amauri, i cili mund të shkojë edhe tek Fiorentina, në këmbim të Xhilardinos, dhe Xhovinko, i cili vlerësohet shumë nga Zamparini.

Lukas Piazon, i konsideruar si pasardhësi i Kakàsë, mund të jetë i destinuar për të kaluar me ekipin e të rinjve. Sa i përket shitjeve, janë pothuajse të sigurtë largimet e Grigerës, Sisokos, Felipe Melos dhe Iakuintës, teksa për këtë të fundit ka ofertë edhe nga Bajerni i Mynihut.

Mota nuk do të blihet përfundimisht, për Akuilanin do të kërkohet një ulje çmimi nga Liverpuli (synohet të merret për 8-10 milionë), në të kundërt mund të largohet.
/JUVENEWS.TK/