01 mars 2011

Pesë kandidatë për stolin e ri

Alternativat në verë: Kapelo, Spaleti, Konte, Gasperini e “nxënësi” i Murinjos, Vilas Boas

Pas humbjes me Leçen cilësohej i paprekshëm, por pas humbjes së të dielës me Bolonjën, pozicioni i tij është më i rrezikuar se kurrë. Kjo është mënyra si, në harkun e shtatë ditëve, ka ndryshuar situata për trajnerin Luixhi Delneri. Gjithsesi, ai do të qëndrojë në krye të stolit bardhezi, deri të shtunën, kur do të luhet supersfida Juventus-Milan. Objektivi i përcaktuar nga drejtuesit e klubit është të arrihet një rezultat pozitiv kundër kuqezinjve, për të vazhduar më tej ecurinë në ndeshjet me Çezenën, Breshian e Romën. Vetëm në këtë mënyrë, Delneri do të zgjasë deri në fund të sezonit aventurën e tij te “Zonja e Vjetër”. Në të kundërt, përflitet hipoteza për emërimin e Marçelo Lipit në rolin e trajnerit të përkohshëm deri në fund të kampionatit, për të marrë më pas detyrën e drejtuesit teknik. Kandidatët për trajner gjatë edicionit të ardhshëm deri më tani janë pesë emra: Fabio Kapelo, Luçiano Spaleti, Antonio Konte, Xhampiero Gasperini dhe Andre Vilas Boas, ndërsa rishfaqet edhe hija e Luçiano Moxhit.

Alternativa më e mundshme për t’u përballur me emergjencën, në rast se Delneri shkarkohet është Pavel Nedved, përkrah një trajneri me eksperiencë. Idhulli i tifozëve sponsorizohet nga presidenti Andrea Anjeli, megjithatë, tani në mendjen e pronarëve, mbi të gjitha të Xhon Elkan rikthehet hipoteza Lipi. Klubi bardhezi duhet të bëjë llogaritë me dështimin e projektit Marota-Delneri. Skuadra e ndërtuar prej tyre, pavarësisht shifrave të konsiderueshme që janë shpenzuar në merkato, nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara, madje rrezikon të mbetet jashtë kupave të Europës në sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye, kuota ka marrë edhe figura e Moxhit, i cili do të ketë rolin e këshilltarit. “Big Luçiano”, i cili ka qenë drejtori i përgjithshëm i Juventusit, ua ka konfirmuar këtë fakt njerëzve më të afërt, ndërkohë që së fundmi ka nisur kontaktet me atë pjesë të bashkëpunëtorëve të dikurshëm, të cilët nuk i kthyen shpinën gjatë skandalit “Calciopoli”. Realitet apo trillim, rikthimi te bardhezinjtë i njeriut më të diskutuar në futbollin italian mbetet për t’u parë. Për momentin me siguri mund të thuhet se dështimi teknik që prodhoi grupi i ri i drejtuesve e ka bërë të paevitueshëm një tjetër revolucion në skuadër.

Për pasardhësin e Delnerit, ëndrra mbetet Spaleti, ndërsa një tjetër emër i lakuar është ai i Kapelos. Emërimi i njërit prej këtyre trajnerëve do të vështirësohej nga shkurtimi i buxhetit prej mungesës në kupat e Europës. Alternativa më pak të kushtueshme janë Konte dhe Gasperini, ndërsa nuk mund të anashkalohet Andra Vilas Boas, 33-vjeçari i rritur në shkollën e Zhoze Murinjos, që aktualisht po shkëlqen me Porton.
/JUVENEWS.TK/