04 mars 2011

Matri: " Nuk jam penduar që kam zgjedhur Juventusin"

Torino (Itali)- Juventusi të shtunën në mbrëmje në Olimpiko do të kërkojë të ringrihet kundër Milanit pas dështimit që ka pësuar në dy ndeshjet e fundit në kampionat me Leçen dhe Bolonjan. Skuadra e Del Nerit do t'i besojë gjithçka dëshirës për gol që ka Alesandro Matri. Një lojtar që ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij në klubin kuqezi dhe ka qenë shumë pranë rikthimit përsëri në Milanelo, duke parë edhe praninë e trajnerit që e ka vlerësuar dhe ndihmuar të rritet shumë, Masimiliano Alegri.

Përpara ndeshjes së madhe me Milanin, bomberi bardhezi kërkon të shpjegojë edhe shkaqet e dështimit të Juventusit në javët e fundit në kampionat. "Nuk di të shpjegoj se çfarë ka ndodhur realisht, gjithçka ka qenë duke shkuar shumë mirë pas fitoreve kundër Kaljarit dhe Interit. Tani na është krijuar, ndërkohë mundësia për t'u ringritur edhe njëherë kundër Milanit. Është e qartë, që jemi nën presion të madh, por nuk besoj që faji është tek mosdhënia e maksimumit, por besoj më shumë se ka qenë një shpërqendrim pas ndeshjes me Interin.

Jeni në ankth për të shënuar dhe për të treguar se jemi një lojtar për Juventusin?

Absolutisht jo, ashtu siç nuk jam penduar aspak që kam zgjedhur Juventusin përpara Milanit. Kam kaluar dymbëdhjetë vite në skuadrën kuqezi, por tani nuk më bën asnjë efekt fakti që luaj kundër tyre, ka ndodhur vetëm ndeshjen e parë; nëse do të shënoja sigurisht që do të gëzohesha. Për momentin, mendoj se sulmuesit më të mirë në botë janë Ibrahimoviç dhe Samuel Eto, por idhulli im është Marko Van Basten, padiskutim një lojtar superior ndaj të dy këtyre dy emrave që sapo kam përmenduar".

Në fund të komentit të tij, Alesandro Matri, ka folur edhe për trajnerin e Milanit, Alegri, me të cilin ka punuar dy sezone tek Kaljari: "E njoh shumë mirë, por nuk më ka kërkuar asnjëherë të shkoj tek Milani. Tek skuadra kuqezi kam frikë mbi të gjithë Boateng, nëse do të kisha mundësi do t'ia kisha hequr mundësinë të luante në këtë ndeshje".
/JUVENEWS.TK/