07 mars 2011

Lipi, Konte ose Spaleti për Juven?

Marota konfirmon për momentin Del Nerin, por e ardhmja po projektohet .

Gjithçka nga fillimi sërish. Rifillon. Një tjetër revolucion, tjetër pritje. Dhe në Torino, në anën bardhezi, shpresojnë të mos jetë shumë e gjatë dhe mbi të gjitha frustruese, si ato që kanë shoqëruar “Zonjën e vjetër” kohët e fundit. Humbja brenda me Milanin, e treta radhazi në kampionat, ka zyrtarizuar qartë të ardhmen e Xhixhi Delnerit: në fakt, vështirë që tekniku të qëndrojë në timonin e Juves edhe sezonin e ardhshëm. Dhe me të dhe shumë lojtarë që do të emigrojnë në fund të vitit, mbetet për t’u kuptuar fati i Marotës, edhe pse drejtori mund të kursehet nga furia e Andrea Anjelit. Por në këtë pikë, në shtëpinë e Juves prej kohësh programohet sërish e ardhmja, duke filluar nga drejtimi teknik për të mos bërë më gabimet e të kaluarës.

Lipi – Për sa i përket ustait fitues, atëherë kthehet në modë emri i ish-trajnerit të Italisë, aktualisht pushim, por i etur për t’u rifutur në lojë pas ekspeditës shkatërrimtare në Afrikën e Jugut. Lipi e njeh mirë ambientin e Juves, di si të lëvizë dhe mbi të gjitha do të kishte mbështetjen e senatorëve të ekipit dhe atë të tifozëve, që do ta mirëprisnin me krahë hapur. Ndër të tjera, ai mund të kthehet në një rol të ri, tip menaxheri “alla anglez”, në mënyrë që të kujdesët në 360° për rilindjen juventine. Një tip Aleks Fergusoni, që tashmë ka zgjedhur barashkë me Murinjon pasardhësin e tij te Mançester Junajtid. Një projekt intrigues dhe tërheqës, që mund të marrë formë seriozisht në muajt e ardhshëm.

Konte – Emri më i besueshëm, mbi të gjitha në nivelin e kostos, është ai i trajnerit aktual të Sienës, ish-kapiteni i Juves së “vjetër”. Ndër të tjera, Konte nuk do ta pretendonte fushatën bombastike të blerjeve të Spaletit dhe në Torino do të rigjente shumë miq dhe dashurinë e tifozëve, që nuk e kanë harruar kurrë. Por dyshime ka dhe këtu, sepse Konte do të ishte një tjetër bast Juventin edhe pse ndryshe nga Ferrara, trajneri aktual i Sienës ka më shumë eksperiencë mbi shpatulla. Duhet vetëm të kuptojmë nëse është rasti për të rrezikuar me një tjetër bast apo të synohet një “usta” fitues.

Spaleti – Emri më i kuotuar është me siguri ish-trajneri i Romës, aktualisht te Zeniti kampion i Rusisë, i cili mund të joshet nga “Zonja e vjetër”, edhe pse në San Peterburg jeton si car i blinduar nga një kontratë milionere. Ndër të tjera, projekti i Zenitit është vërtet ambicioz, prandaj Anjeli do të duhet të përdorë argumente më shumë se interesante për ta bindur Spaletin, duke filluar ndoshta me një fushatë përforcimesh të klasit të parë, të karakterizuar prej të paktën 3 ose 4 blerjesh elitare. Por në këtë rast do të varet shumë nga disponibiliteti ekonomik i një klubi të lodhur nga projekti i stadiumit të ri dhe nga kujdesi për “fair play”-in financiar. Spaleti, me Romën para dhe me Zenitin tani ka demonstruar se di të drejtojë një “big”, i bën skuadrat e tij të luajnë në mënyrë spektakolare, është relativisht i ri (datëlindja 1959) dhe sot duket vërtet i vetmi i aftë për të ringjallur ambiciet bardhezi me projektin e ri. /JUVENEWS/