14 mars 2011

Kriza e Juventusit prek edhe Bufonin

Portieri bardhezi është shfryrë në përfundim të barazimit me Çezenën

Minuta e 80-të e Çezena-Juventus: Iakuinta e ka goditur topin keq, Parolo është vënë në zotërim të sferës dhe ka bërë një goditje të saktë që ka mposhtur Bufonin. Kështu është shpërdoruar një fitore tjetër, Championsi është larguar akoma më shumë dhe portieri, pa pritur, ka bërë një shfryrje publike, me gjeste dhe fjalë që i drejtoheshin stolit, me kokën që tundej vazhdimisht.

Një spektakël i vogël që, në formë më të qetë, ka vazhduar edhe në përfundim të ndeshjes. Një veprim tipik i një njeriu të sinqertë dhe direkt si superXhixhi. Pavarësisht se shfryrja i është drejtuar stolit, arsyea e kësaj krize të vogël nuk ka qenë Del Neri, nuk ka qenë paraqitja e skuadrës.

Bufon, thjesht, ka parë të marrë formë para syve të tij një tjetër sezon i çuar dëm, një tjetër sezon pa asnjë trofe, pa asnjë kënaqësi apo gëzim, që ndër të tjera është komplikuar edhe nga dëmtimi që e ka mbajtur larg fushave deri në fillimin e 2011-ës.

Për të kuptuar më mirë gjendjen shpirtërore të numrit 1 bardhezi, mjafton të kujtohen fjalët që ka thënë pas rikthimit të tij në kampionat, në 16 janarin e kaluar. Në përfundim të ndeshjes me Barin, të fituar 2-1, Xhixhi ka kujtuar se si shumë njerëz kanë thënë se ishte një i “çmendur” për faktin se ka refuzuar, në vitet e vështira pas “Calciopoli”-t, të transferohej te një klub i madh, të fitonte trofe të tjerë dhe të kishte një rrogë më të lartë.

Zgjedhje që Bufon i ka hedhur poshtë, siç ka thënë, për “dashurinë ndaj tifozëve dhe fanellës”. Bufon, sigurisht, nuk ka ndryshuar mendim. Por, thjesht, ambiciet e tij të mëdha duket se nuk po përputhen me ndryshimin që po pëson një klub që, pasi ka kaluar Serinë B dhe periudhën më delikate, duket sikur ecën mbrapsht.

Një presion më shumë, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme, për Del Nerin, Marotën, Anjelin, për një klub që është në kërkim të dëshpëruar të vetvetes.
/JUVENEWS.TK/