04 mars 2011

Kielini: Do t’i bëjmë një nder Interit


Prishtinë (Lajmi më i zgjeruar JuveNews): Bota është kthyer përmbys: Morati është bërë tifoz i Juventusit dhe Kielini uron që t’i bëjë “një nder Interit”. Misioni i bardhezinjve është të mundin Milanin, edhe pse mund të favorizojnë armiqtë zikaltër në luftën për titull.

Mbrojtësi e ka thënë këtë edhe për atë minoracë të zhurmshme të tifozëve bardhezinj që, në internet, kanë bërë të ditur se janë gati të protestojnë kundër skuadrës nëse fitojnë të shtunën. Dhe nëse Juventusi humbet, durim:

“T’i japim një pakënaqësi zikaltërve dhe ndërkohë të lirohemi edhe nga Del Neri”. Në një sondazh të publikuar nga saiti “zonjaevjetër.com”, 62% e njerëzve që kanë vizituar këtë sait janë gati të “mbështesin skuadrën me bindje: mbetet gjithmonë një ndeshje e madhe dhe kemi një krenari për të mbrojtur”.

“Shpresojmë t’i bëjmë një favor Interit, - ka thënë Kielini, - edhe pse për momentin mendoj se Milani është favorit. Jam i bindur se të shtunën do të zbresë në fushën e lojës një Juventus që do të jetë në gjendje të mundë Milanin”.

Juventusi shikon nga poshtë dhe lart milaneze dhe shpreson të rikthehet i madh me skuadrat e mëdha. Një fitore mund t’i japë vetëbesim një grupi shumë të demoralizuar nga dy humbjet e fundit kundër Leçes dhe Bolonjës dhe ndoshta mund t’i afrojë më shumë me objektivin europian, sot 7 pikë larg, që askush te Juventusi nuk e përmend më.

Ndërkohë, në Vinovo kanë filluar provat për të zgjedhur mbrojtjen anti-Ibra. Ai që rrezikon është Bonuçi, i sakrifikuar në ndeshjen stërvitore të zhvilluar dje nga Del Neri, që ka aktivizuar midis titullarëve Sorensenin, Barzaljin, Kielinin dhe Traoren para Bufonit.

Përjashtimi i Bonuçit do të ishte i bujshëm: ka qenë ai blerja më e shtrenjtë e verës së kaluar (15,5 milionë euro, kundrejt 15 të shpenzuar për Krasiç), por edhe lojtari që ka luajtur më shumë në Serinë A (asnjë minutë në stol në vitin kalendarik me fanellat e Barit dhe të Juves).

Më 6 janar, kundër Parmës, ka qenë gjykatësi sportiv që e ka detyruar të qëndrojë jashtë fushës. Tani mund ta bëjë Del Neri. Edhe pse nuk është e sigurt, ashtu siç nuk është i sigurtë pozicioni ku do të luajë Kielini, që në ndeshjen stërvitore është aktivizuar në qendër të mbrotjes, për të kaluar në krahun e majtë Traoren.

Del Neri do të vendosë sot se çfarë do të bëjë. Shpresa e tij është që këtë herë zgjedhjet të japin rezultatin e duhur në përfundim të 90 minutave.
/JUVENEWS.TK/