04 mars 2011

Morati do të vishet bardhezi për një ditë

Prishtinë (Lajmi më i zgjeruar JuveNews): Presidenti i Interit ka pranuar se në sfidën midis Juventusit dhe Milanit do të jetë pro “Zonjës”

Eshtë me të vërtetë e vështirë për Masimo Moratin të vendosë se për kë skuadër do të bëjë tifozllëk të shtunën në mbrëmje midis Juventusit dhe Milanit. Në fund presidenti zikaltër ka lënë të kuptohet se cila do të jetë zgjedhja e tij: “Që nga janari po luajmë mirë.

Jam shumë krenar për skuadrën dhe Leonardon. Dhe fakti që i jemi afruar kreut ka shtuar motivimin. Tani duhet të vazhdojmë përpara me të njëjtin ritëm, duke mbajtur këmbët në tokë, sepse e dimë se ekziston edhe rreziku që të largohemi nga kreu.

Milani po luan mirë, duhet të shpresojmë që të humbasë disa pikë rrugës, - ka shpjeguar Morati. - Nuk e di nëse do ta shikoj apo jo ndeshjen të shtunën. Do të bëhem tifoz për skuadrën që do të luajë më mirë. Dhe besoj se bardhezinjtë do të jenë të motivuar për të bërë detyrën e tyre kundër Milanit”.

Numri një i Interit ka lëshuar edhe një thumbim për ish-lojtarin e tij Ibrahimoviç, që disa ditë më parë ka folur për “një Milan historikisht më të fortë se Interi”: “Interi është Milano, tifozët e Interit janë konsideruar gjithmonë milanezët e vërtetë, - ka thënë Morati.

Interi ka përfaqësuar gjithmonë krenarinë e sportit milanez, ka më shumë rrënjë Interi për qytetin se sa Milani, edhe pse më pas, gjithsesi, edhe skuadra kuqezi ka fituar shumë. Sidoqoftë, është një detyrë për ne aktualisht të provojmë të rifitojmë edhe këtë vit, nuk do të dorëzohemi deri në fund”.
/JUVENEWS.TK/