04 mars 2011

Melo: Me Milanin duhet të jemi perfektë

Prishtinë (Lajmi më i zgjeruar JuveNews): Edhe koka e Melos ka konfirmuar dëshirën e madhe të Juventusit për të ndryshuar rrugën dhe shumë shpejt. Mesfushori brazilian, është prezantuar të mërkurën në Vinovo me kokën të rruar plotësisht, një paraqitje e re që, për supersticiozitet, synon t’i jap fund periudhës negative të bardhezinjve në këtë sezon.

Rendimenti i Felipes nën drejtimin e Del Nerit nuk ka qenë mediokër, por duhet të japë diçka më shumë për të shpresuar në arritjen e një vendi në zonën Champions, duke filluar që nga ndeshja shumë e vështirë, që do të zhvillohet nesër në mbrëmje kundër Milanit.

Në fazën e parë ish-mesfushori i Fiorentinës ka qenë një nga më të mirët në fushë, tani i kërkohet të mos humbë kthjelltësinë dhe të mbajë lart flamurin e një mesfushe të thjeshtuar nga dëmtimi i Sisokosë, shqetësimet muskulore të Akuilanit, skualifikimi i Pepes dhe momenti jo shumë i mirë që po kalon Krasiç.

“Nuk mund të bëjmë asnjë gabim. Milani është një skuadër shumë e fortë dhe nëse bën një gabim të vret. Do të duhet të luajmë siç kemi bërë në ndeshjen e fazës së parë, duke mos humbur përqendrimin për asnjë moment”.

Këto kanë qenë fjalët e mesfushorit të Juventusit, Felipe Melo, në lidhje me sfidën midis Juventusit dhe Milanit. Braziliani ka folur edhe për tifozët: “Nuk janë të kënaqur dhe kanë të drejtë, - ka thënë ai, - sepse dy humbje kundër skuadrave të ashtuquajtura të vogla nuk mund të pranohen lehtësisht.

Ata na kanë qëndruar gjithnjë afër, që nga humbja e parë që kemi pësuar në fushën tonë kundër Palermos dhe kanë qenë të mëdhenj. Tani na takon neve t’i shpërblejmë për mbështetjen që na kanë dhënë”. Vetë Del Neri ka ndërmend të mbështetet te agresiviteti dhe karakteri i fortë i brazilianit për të rikthyer krenarinë e skuadrës dhe për të bërë një paraqitje si ajo kundër rivalëve të Interit.
/JUVENEWS.TK/