16 mars 2011

Juventusi, ofertë me 3.5 milionë euro në sezon për Pirlon


Çfarë kanë të përbashkët Milani dhe Juventusi në këtë pikë të sezonit?

Asgjë me përjashtim të një lojtari: Andrea Pirlo. Mesfushori në fakt, vazhdon të jetë në qendër të synimeve të bardhezinjve. Një opsion shumë më real sesa mund të krijojë idenë qetësia përreth operacionit. Në Torino, janë gati të ofrojnë një kontratë tre vjeçare me 3.5 deri në 4 milionë euro në sezon por pa harruar këtu të mbyllin edhe opsionin Akuilani.

Dhe Milani për momentin nuk luan me idenë për të ngritur ofertën ndaj lojtarit. Skuadra kuqezi duket se është shumë e ftohtë kur flitet për Andrea Pirlon. Shoqëria e Berluskonit ka shtyrë çdo diskutim për rinovimin e kontratave, që gjithsesi nuk shkon më tej se oferta për një kontratë dy vjeçare me pothuajse gjysmën e pagës që përfiton aktualisht lojtari: nga 6 milionë në 3 milionë euro në vit.

Mbase dhe për këtë arsye 32-vjeçari breshian është duke e jetuar këtë moment të rëndësishëm të kuqezinjve me një lloj distancimi, jo vetëm e lidhur me dëmtimin e tij, por edhe me një marrëdhënie me shoqërinë që është përkeqësuar shumë kohët e fundit. Oferta që ka propozuar Juventusi (që mund të arrijë deri në një kontratë katër vjeçare) është interesante dhe ai është duke e menduar seriozisht. Edhe sepse do të arrinte të kompletonte një tripletë personale që nuk mund ta arrijë çdo lojtar: në fillim Interi, më pas Milani dhe menjëherë fanela e Juventusit për të mbyllur karrierën.

Pikërisht, Pirlo do të ishte njeriu i duhur për Del Nerin ose për atë trajner që do të marrë drejtimin e bankinës bardhezi për sezonin e ardhshëm. Do të sillte atë energji të nevojshme në mesfushë, që Del Pieros me shokë i ka munguar në këto dy sezonet e fundit. Por, pa hequr ndërkohë dorë nga shërbimet e Alberto Akuilanit. Mesfushori roman, me përjashtim të ndonjë lëvizjeje të papritur, duhet të blihet përfundimisht, edhe se Liverpuli do të kërkojë të përfitojë sa më shumë nga shitja e kartonit të lojtarit që ka kushtuar plot 23 milionë euro në kohën e Rafa Benitezit.
/JUVENEWS.TK/