04 mars 2011

Boateng, ylli i titullit për Milanin

Llogari për t’u mbyllur. Ndaj Juventusit në “San Siro”, Kevin Princ Boateng luajti një nga ndeshjet më të këqija në kampionat dhe e meritoi votën më të ulët të karrierës së tij të deritanishme italiane: 5. Me Totenhemin në Premier Ligë, ka zbritur në fushë që në moshën 20-vjeçare, por nuk ka qenë një eksperiencë pozitive në aspektin sportiv.

Në Londër, ganezi ka luajtur shumë pak, gjendej në ekipin e rezervave, ndaj dhe vendosi të rikthehej në formë huazimi në Gjermani, por u shit përfundimisht tek Portsmuthi. Për këtë arsye, momenti që po kalon Boateng në Milanelo është një histori e gëzueshme, edhe pse në njëfarë mënyrë me probleme:

Kevin ka qenë jashtë fushave të lojës për 2 muaj prej dëmtimeve, megjithatë ndeshjet ku është aktivizuar, ishin të mjaftueshme për kthesën. Shumë pak në Itali mund ta kishin imagjinuar ganezin si një trekuartist tek Milani, duke parë që ishte bërë i njohur më parë si një qendërmesfushor i mirë dhe me fizik të jashtëzakonshëm.

Përkundrazi, Alegri e ka dërguar në “origjinë”, pasi në fëmijëri, Boateng e adhuronte të luante si trekuartist. Atij i pëlqen futbolli kualitativ, i pëlqen të tentojë ndeshjen perfekte, por kualiteti dhe përdorimi i tij është i padiskutueshëm, falë muskujve të tij.

“Boateng i ka të gjitha: potencën, forcën, shpejtësinë dhe rezistencën,” tregon përgjegjësi i përgatitësve atletikë, Daniele Tonjaçini. “Nuk ka patur nevojë për të programuar asgjë në veçanti. Është një atlet, e lëshon në fushë dhe e di mirë se ç’duhet të bëjë.”

Boateng u pëlqen tifozëve, sepse është një luftëtar, por që duhet të mësojë të jetë i disiplinuar. Duhet të përpiqet të eliminojë disa gjëra, pasi është ndëshkuar 6 herë, por Alegri e vlerëson për dinamizmin dhe kapacitetin për t’u përshtatur, ndaj dhe për këtë arsye i ka ofruar disa herë postet sulmuese.

Ndërsa ai i është kundërpërgjigjur deri më tani me 3 gola, shumë vrapime dhe një rendiment më shumë sesa të mjaftueshëm. Tek Gana, gjatë botërorit, atij iu kërkua më shumë të mbronte sesa të sulmonte, por trajneri ka vënë bast, se do ta transformojë në një trekuartist në mënyrë përfundimtare.

Kundër Juventusit mund të marrë vendin e Robinjos. Pa Boateng, po të konsiderosh të gjitha ndeshjet, Milani ka një mesatare pikësh prej 1.9, ndërsa me ganezin në fushën e lojës për 90 minuta mesatarja rritet në 2.3. Janë vetëm shifra, por tregojnë një histori të nisur më së miri.
/JUVENEWS.TK/