02 mars 2011

Anjeli dhe Elkan, ultimatum trajnerit

Në rast se Juventusi nuk do të fitojë me Milanin trajneri do të largohet

Xhon Elkan dhe Andrea Anjeli kanë vendosur se nuk ka më kohë për të humbur dhe duhet bërë diçka për të ndryshuar një sezon që rrezikon të jetë më dramatik se ai i mëparshmi. Ditën e hënë dy pjesëtarët e familjes më të rëndësishme piemonteze, kanë folur në zyrat e klubit për më shumë se dy orë me Xhixhi Del Nerin, duke i sqaruar këtij të fundit se paraqitje si ato kundër Leçes dhe Bolonjës nuk do të pranohen më nga klubi.

Sfida me Milanin kryesues të shtunën e ardhshme në “Olimpiko” përfaqëson mundësinë e fundit: ose skuadra do të ringrihet ose fati i teknikut friulan duket i vendosur (jo rastësisht të hënën është kthyer në Vinovo për seancën stërvitore i zymtë në fytyrë).

Numri një i kompanisë “Exor” (Xhon) dhe presidenti i Juventusit (Andrea) kanë diskutuar edhe në lidhje me emrat e trajnerëve që do të mund të zëvendësonin Del Nerin në rastin e një dështimi. Gjendja financiare e klubit nuk është e mirë dhe bilanci i 2010-ës është mbyllur me një defiçit të madh, por familja Anjeli nuk ka asnjë qëllim të braktisë “Zonjën e Vjetër” dhe do të bëhen sforcime të tjera për ta rikthyer atë në pozicionet që meriton.

Në maj, do të bëhet bilanci teknik i sezonit, më pas do të kuptohet më mirë se ku duhet ndërhyrë. Ndryshimi në stol (me përjashtim të një ringritjeje të befasishme të Del Nerit) duket i pashmangshëm: në garë janë Kapelo, Spaleti, Venger, Konte, Viali dhe Vilas Boas.

Duhen të paktën tre kampionë për të përforcuar skuadrën, duke filluar nga anglezi Beins. Për pjesën tjetër përmenden emrat e zakonshëm: Bek, Bastos, Diarra, Gago, Sançez dhe Pastore.
/JUVENEWS.TK/