02 mars 2011

Bufon: Del Neri duhet të qëndrojë

Portieri bardhezi ka dalë në mbrojtje të trajnerit të tij pas humbjeve zhgënjyese

Xhixhi Bufon, bashkë me Del Pieron, është një nga figurat më të rëndësishme te skuadra e Juventusit. Dhe duke qenë i tillë ka dashur t’i japë një mesazh klubit dhe shokëve të skuadrës. Ky është Xhixhi, një lojtar që nuk i largohet përgjegjësive, mbi të gjitha kur gjërat nuk shkojnë mirë. “Del Neri?

Duhet të qëndrojë të paktën deri në qershor. Projekti në fillimin e sezonit mbështetej tek ai, është e drejtë që të qëndrojë deri në fundin e sezonit. Llogaritë duhen bërë vetëm në këtë moment”, ka thënë portieri juventin. Eshtë folur për trajnerë të përkohshëm, nga Nedved te Xhentile, “por unë nuk di asgjë. Mund të garantoj se skuadra është me Del Nerin, ka besim tek ai”.

Megjithatë, ekziston rreziku që tekniku friulan të mund të ndihet i delegjitimuar në një moment kur vetë klubi ka treguar shenjat e para të mosbesimit ndaj tij. Mund të peshojnë jo pak verifikimet e vazhdueshme (takimet e njëpasnjëshme midis klubit dhe trajnerit) që kanë ardhur pas ndeshjes së humbur me Bolonjën, ose fjalët e administratorit të deleguar Marota, që ka pranuar se është logjike që Del Neri të konsiderohet në provë.

Bufon i ka rënë shkurt. Ai ka kërkuar profesionalizëm nga të gjithë. “Trajneri duhet ndihmuar në fushë. Me fakte. Eshtë aty që duhet t’i tregojmë se jemi të gjithë me të. Më pas kur futemi në fushë, pavarësisht nga fakti nëse dikush e pëlqen ose jo trajnerin, presidentin ose drejtuesin, secili duhet të bëjë punën e tij, atë për të cilën paguhet.

Problemet e tjera duhet të qëndrojnë jashtë, dhe kaq. Gjithsesi, e përsëris, të gjithë lojtarët mbështesin Del Nerin. Deri te fitorja me Interin flitej për një sezon të bukur…”. Do të ketë një rol të rëndësishëm këto ditë Bufon. Atij dhe Del Pieros i është besuar detyra të rikthejnë pak qetësinë brenda një skuadre që e humbet shumë shpejt rrugën para vështirësive të para.

Duhet qetësi, eksperiencë dhe karakteri i kapitenëve historikë, njerëz që kanë parë gjithçka në karrierën e tyre. “Duhet të futemi në fushë, - ka vazhduar Bufon, - pa atë atmosferë funerali, atë ndjesi negative që shoqëron zakonisht këto momente. Duhet të jemi optimistë dhe të qeshur për t’i treguar trajnerit dhe tifozëve se duam të bëjmë diçka të rëndësishme”.

Atëherë, ndoshta, është i mirëpritur Milani: “Ndeshja e së shtunës do të jetë vendimtare për të shmangur një sezon si ai i kaluari. Milani mund të jetë mundësia jonë për të ndryshuar rrugë dhe mund të na japë forcën për ta mbyllur në mënyrën e duhur këtë sezon. Nëse kjo forcë do të mungojë, do të përsërisim një sezon që askush nuk donte ta përsëriste.

Kemi gabuar ndeshje të rëndësishme si ato kundër Leçes dhe Bolonjës, por nuk ekzistojnë zgjidhje të menjëhershme. E vetmja kurë është puna. Vetëm mbas dy muajsh do të mund të bëjmë llogaritë”. Mendimi i fundit i Xhixhit ka qenë për tifozët: “Protestat pas humbjes me Bolonjën më janë dukur të përmbajtura. Por besoj se tifozëve tanë i është dashur të durojnë shumë këto vitet e fundit”, ka thënë Bufon.
/JUVENEWS.TK/