06 mars 2011

Alarmi i Luçiano Moxhit: Juve, ku shkon pa talente?

Ish-drejtuesi bardhezi analizon problemet e krizës bardhezi

Kriza e Juventusit ka qenë tema kryesore e emisionit “Chiambretti Night”, ndërsa i ftuari special ka qenë Luçiano Moxhi. Ish-drejtuesi klubit torinez, i cili është i akuzuari kryesor për skandalin “Calciopoli”, analizoi arsyet e problemeve të bardhezinjve.

“Skuadra ka shumë lojtarë që luftojnë, por pak yje. Mungojnë elementët që të dhurojnë fitoren edhe kur luan keq, si Pato apo Ibra te Milani dhe Eto’o tek Interi”, tha Moxhi. Sipas tij, “shkaktari kryesor i krizës së Juves është administratori Blank. Marota duhet të mësohet me një klub të madh, ndërsa Delneri nuk ka arritur ta përshtatë skuadrën me skemat e lojës, por nuk duhet ta shkarkojnë”. Fjalë pozitive ka pasur për presidentin Andrea Anjeli.

“Ai kupton nga futbolli, por duhet ta ndihmojnë. Këtë vit mori drejtimin e skuadrës pasi ishin blerë 15 lojtarë të rinj, por me këta elementë nuk mund të shkosh askund. Te Juventusi i sotëm mungojnë kampionët, përveç Bufonit dhe Del Pieros, që janë në moshë të madhe dhe nuk mund të mbështetesh te ata për të hapur një cikël rreth”.
/JUVENEWS.TK/