Këto ditë i kemi bërë vetes shumë pyetje, pas humbjes së radhës me Bologna.
Një Juventus kaq zhgënjyes për 2 vite me radhë nuk ishte parë ndonjëherë. Marotta-n nuk mund ta fajësojmë për cfarë ka ndodhur para tij, por mund të identifikojmë të paktën 5 gabime të mëdha që ai ka bërë gjatë sezonit.
Gabimi 1: Të privilegjuarit e sasisë dhe jo të cilësisë. Të blerit vetëm për të blerë nuk ka bërë gjë tjetër vecse të shtuarit të numrit të lojtarëve, por pa ndikuar në përmirësimin e cilësisë. Për të fituar duhet edhe cilësi, element të cilin edhe Marotta e ka vënë në dukje, duke pranuar kështu gabimin e tij.
Gabimi 2: Disa blerje blerje që duheshin bërë përfundimisht, janë huazuar dhe anasjelltas. Martinez rezultoi një investim totalisht i gabuar dhe që do të kishte qenë më mirë sikur të huazohej. Të paturit të një merkatoje në hyrje totalisht të bllokuar për sezonin e ardhshëm mund të jetë pengesa më e madhe për arkat bardhezi.
Gabimi 3: Drejtimi i ekipit. Të besuarit tek një trajner i zoti, por me eksperiencë të limituar në drejtimin e nje Ferrari si Juventusi, ishte një zgjedhje e rrezikshme që aktualisht po kthehet kundër Drejtuesit të Përgjithshëm të Juves. Zgjedhje të tilla të rrezikshme bëhen kur ke mundësi të forta, mundësi të cilat Marotta nuk i kishte. Një drejtues që ka fituar shumë si Galliani mund t’i lejonte vetes një teknik debutues si Leonardo dhe Allegri. Një drejtues që është në vitin e tij me Juventusin duhet të ecte me këmbë të blinduara.
Gabimi 4: Sjellja. Strategjia dhe fjalët e përdorura kanë qenë të paqarta qysh në fillim. Flitej për Champions, pastaj për Scudetto, e pastaj akoma për Champions dhe së fundmi për asgjë.
Gabimi 5: Të menduarit se duke folur disa herë për Calciopoli do të mjaftonte për të qetësuar tifozët. Calciopoli ishte një skandal i madh, një vjedhje për tifozët bardhezinj nga ana e drejtuesve të mëparshëm. Këtë gjë e kemi zbuluar në 2006-ën, nuk po na e zbulon Marotta. Nëse Marotta mendonte se do t’i bënte bisht problemeve duke u hedhur të tjerëve fajin, atëherë ai gabohet rëndë se tifozët nuk janë aq naivë.
Respekti fitohet me rezultate dhe nëse rezultatet aktuale konfirmohen deri në fund, atëherë fjalët e drejtimit të tij janë vetëm fjalë falimentimi. /Juventus-Fans/