Përtej përgjegjësive të Del Nerit për fillimin shkatërrimtar të 2011-s nga Juve, edhe lojtarët duhet të marrin pjesën e tyre të fajit. Në krahasim me një vit më parë kanë ndryshuar drejtuesit, trajneri, stafi, por jo rezultatet.
I vetmi përjashtim është ndeshja me Interin, që tashmë për Juven përfaqëson nënën e të gjitha ndeshjeve, për të cilën gjenden gjithnjë energji dhe stimuj ekstra. Por kjo skuadër u destinua të fikej para se “armiku” të rikthehej në Milano.
Merkatoja e ardhshme duhet patjetër të sjellë në Torino kampionë të aftë të jenë të tillë në nivelet më të larta. Jo Tiagon, Poulsenët, Diegot (po, po, Diegot) etj. Për mesfushën nevojitet një si Havier Maskerano, udhëheqësi i një skuadre me karakter si Argjentina, apo edhe Liverpuli (dhe në Anfield nuk ka vend për frikacakë), por që te Barça ulet në pankinë.
Në mbrojtje do të ishte perfekt Nemanja Vidiç i Mançester Junajtid, agjenti i të cilit është ai i Bufonit, edhe pse në këto nivele, dyert i hapin vetëm milionat. Juve, nëse do të ringrihet, duhet të derdhë 100 milionë euro për merkaton e ardhshme. Për mbrojtjen pritet të vijë i riu gjerman Andreas Beck.
Për sa i përket sulmit, Matri është një blerje e mirë, Kualjarela para se të dëmtohej ecte me një mijë në orë dhe Toni stonon ende. Për të konkurruar Milanin (Ibra, Pato, Robinjo, Kasano) dhe Interin (Eto’o, Milito e Pacini), Juve ka nevojë për një talent absolut. Një si Serxhio Aguero i Atletikos, por që kushton shumë. Por më pak se Tiago, Diego e Martinez së bashku (bëni llogaritë: 13+25+12=50!)... Dhe nuk do të dështojë. /JUVENEWS.TK/