22 dhjetor 2010

Sondazhi i lexuesve: Lorik Cana, lojtari më i mirë i kombëtares për vitin 2010

Në kuadrin e sondimit të opinionit futbolldashës shqiptarë, “Sporti Shqiptar” online vijon të organizojë dhe publikojë rezultatet e katër sondazheve javore, të përfshira brenda muajit dhjetor, që ngërthejnë në vlerësim aspekte të ndryshme të futbollit tonë për vitin kalendarik 2010. Pasi kemi zbuluar rezultatet e dy sondazheve të para, atë të “trajnerit më të mirë të superligës për vititn 2010″, që e ka fituar Shkëlqim Muça, por edhe të sondazhit “lojtari i ri më i mirë i superligës për vitin 2010, që premton edhe për kombëtaren”, të fituar nga Armando Vajushi, sot po bëjmë publike edhe rezultatet e sondazhit të radhës. Lorik Cana është konfirmuar sërish, edhe për vitin kalendarik 2010, si lojtari më i mirë titullar i kombëtares kuqezi. Në sondazhin javor të “Sporti Shqiptar” online, të udhëhequr nga tema “votoni lojtarin titullar më të mirë të kombëtares kuqezi për vitin 2010″, kanë marrë pjesë 2405 votues, të cilët kanë përkrahur, sipas bindjes së tyre, lojtarë të ndryshëm të kombëtares sonë. Në këtë drejtim, më i pëlqyeri, normalisht edhe më i votuari, ka rezultuar Lorik Cana, gjakovari kuqezi, që aktualisht luan në kampionatin turk, me Gallatasarajin. Nga numri prej 2405 pjesëmarrësish në sondazh, për Canën kanë votuar 953 veta, ose 40 për qind e totalit, duke rrëmbyer kësisoji gati gjysmën e votave. Në fakt, Lorik Cana, edhe në anketat vjetore të “Sporti Shqiptar”, për të gjitha sportet, që organizohet çdo vit, ka triumfuar rregullisht në vitet e fundit. Çka e konfirmon edhe në këtë sondazh të “Sporti Shqiptar” online për 2010-ën. Cana, për vitin kalendarik në mbyllje, ka luajtur në dy kampionate, në “Premier League”, me Sandërlendin, ndërsa në verë kaloi te Gallatasaraji, në Turqi. Vlen të theksohet se në garën për fituesin e kësaj ankete, Lorik Cana ka pasur rivalitetin e fortë të Hamdi Salihit, i cili e ka parë veten edhe në krye, në ditët e para të sondazhit javor në fjalë, por ditët e fundit është detyruar të pranojë supremacinë e kolegut të vet në kombëtaren kuqezi.

Sulmuesi shkodran i Rapidit të Vjenës, Hamdi Salihi, është pozicionuar i dyti në sondazh, falë 846 votave, ose 35 për qind e totalit të pjesëmarrësve. Performanca e Salihit me Rapidin e Vjenës, ku aktivizohet prej vitit 2009, ka qenë me të vërtetë mbresëlënëse, ashtu sikurse ka lënë “vulën” e tij edhe në kombëtare. Me fanellën e Rapidit, Salihi ka luajtur gjithsej 39 ndeshje dhe ka shënuar 30 gola, ndërkohë që më parë ishte aktivizuar po në Bundesligën Austriake, me Riedin, në segmentin kohor 2007‑2009, ku zhvilloi 82 ndeshje dhe shënoi 34 gola. Në këtë edicion, në të tri kompeticionet ku luan me Rapidin, kampionat, kupë dhe “Europa League”, Salihi ka shënuar 14 gola.

I treti ka dalë Kristi Vangjeli, me 271 vota të marra në sondazh, ose 11 për qind e numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve. Vangjeli, pjesë përbërëse e Arisit të Selanikut, ka bërë një paraqitje mjaft pozitive në “Europa League”, ku vijon të përfaqësohet me skuadrën e tij selanikase, ashtu sikurse ka treguar formë optimale sportive dhe ka luajtur titullar edhe me kombëtaren kuqezi.

59 vota, ose 2 për qind të totalit të pjesëmarrësve në sondazh, ka marrë alternativa “dikush tjetër”, jo një emër i veçantë lojtari të kombëtares, çka presupozon një futbollist të papërfshirë në listën e titullarëve kuqezinj. Më pas, në vendin e pestë, vjen Ansi Agolli, lojtar i Karabakut në Azerbajxhan, mbrojtësi‑mesfushor i krahut të majtë në kombëtare, ku ka fituar një pozicion titullari. Ish‑lojtari bardheblu ka marrë 58 vota, ose 2 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve.

Diçka afër Agollit janë renditur edhe dy lojtarë të tjerë kuqezinj, konkretisht Erion Bogdani, i gjashti, që luan me Çezenën, në Seria A, Itali (55 vota, 2%), dhe Ervin Skela, i shtati, pa ekip prej majit të këtij viti, por me rol titullari në kombëtare (52 vota, 2%).

Të tjerët, sipas rendit zbritës, me vota më të pakta, janë pozicionuar në këtë mënyrë: Arian Beqaj (44 vota, 2%,); Klodian Duro (32 vota, 1%); Ervin Bulku (16 vota, 1%); Debatik Curri (11 vota, 0%) dhe Armend Dallku (8 vota, 0%)

Në fund, kujtojmë dhe ftojmë lexuesit e gazetës sonë, në veçanti, por edhe dashamirësit e futbollit shqiptar, në përgjithësi, se qëndron i hapur sondazhi i katërt javor për muajin dhjetor, me temë: “Votoni gjyqtarin më të mirë të superligës për vitin 2010″. Kjo anketë e radhës pret votën tuaj, për të laureuar kësisoji edhe gjyqtarin më të mirë të vitit që po mbyllet.