“Zonja” në janar kërkon një sulmues. Nëse argjentinasi shkon në Firence, italiani vishet bardhezi
Në ndjekjen e vështirë për një qendërsulmues, Juventusi nuk lë asnjë pistë dhe po vlerëson me kujdes të gjitha zgjidhjet e mundshme. Në pritje për të formuar në qershor sulmin vendimtar me Edin Dzekon, që Volfsburgu e ka vënë ndërkohë zyrtarisht në merkato për 30 milionë euro, - bardhezinjtë duhet të zgjedhin njeriun e duhur mes Xhilardinos, Maksi Lopezit dhe Pacinit. Pikërisht aksionet e këtij të fundit, falë edhe Del Nerit janë rritur në orët e fundit. Tre futbollistë pra dhe një “Zonjë”. Problemi është i thjeshtë:
Juventusi ka nevojë për një sulmues, por nuk ka ndër mend të “japë jetën”. Pra, ose do të gjëndet një zgjidhje vërtet interesante edhe nga aspekti ekonomik, ose asgjë. Edhe sepse, para çdo lëvizjeje në hyrje, duhet sistemuar Sisoko dhe eventualisht Amauri. Pse Pacini? Sepse sulmuesi i Sampit është prej muajsh objektivi numër një i Juventusit. Pacini ka luajtur mirë me Del Nerin dhe pikërisht trajneri këmbëngul që të gjëndet një zgjidhje për të arritur tek ai.
Deri pak ditë më parë, një gjë e tillë dukej thuajse e pamundur, por sulmuesi blukaltër, pas nisjes së Kasanos, po bën presion ndaj Garrones për t’u larguar. Pacini nuk kërkon të përjetojë një vit të dytë në një skuadër që është dobësuar shumë në aspektin teknik. Logjike pra, që në Torino po qëndrojnë në “dritare” në pritje të lajmeve pozitive. Alternativa e parë e Pacinit është Xhilardino, një tjetër futbollist që kërkon një klub të nivelit të parë. Por në Firence problemet janë dy:
1) Mutu, sulmuesi tjetër i organikës i është afruar në orët e fundit Gallatasarajit dhe Parmës. Nëse niset rumuni, Xhila nuk lëviz. 2) Fiorentina kërkon me çdo kusht një futbollist për të plotësuar nisjen e Xhilas. Njeriu i duhur, mund të jetë pikërisht shënjestra e tretë e “Zonjës”, që do të thotë Maksi Lopez. Nëse argjentinasi i Katanias arrin të gjejë një marrëveshje me vjollcët, Xhilardino mund të përfundojë në Torino. Gjithçka e mundur pra, por për momentin asgjë nuk është përfundimtare. Një gjë është e sigurt, që janari do të jetë një muaj shumë i nxehtë për Juventusin.