Pushimet e Krishtlindjeve në shtëpinë bardhezi përfunduan. Skuadra e Del Nerit, u grumbullua dje në orën 11:00 dhe është gati të rifillojë në prag të vitit të ri. Gjuetia ndaj Milanit është e hapur. Në stërvitjen e parë pas pushimeve, ishin të pranishëm të gjithë, pikërisht të gjithë. Stërvitje e parë me shokët për Bufonin. Portieri, me përjashtim të pranisë në festën e dhjetorit, nuk ndodhej me grupin që prej 7 muajsh, dita e ndeshjes së tij të fundit. Ishin të shumtë shokët e tij të rinj për t’u takuar.
Të parët që zbritën në fushë ishin portierët, për herë të parë së bashku në këtë sezon. Skuadra punoi fillimisht në palestër dhe më pas në terrenin sintetik të mbuluar, për të kaluar në fushën kryesore ku bënë një seri testesh atletike. Në këtë pjesë të stërvitjes nuk morën pjesë Del Piero, Markizio e Pepe, që qëndruan në palestër. Në fushë u rishfaq edhe Amauri, që punoi i vetëm, duke prekur pak edhe topin.