Trajneri bardhezi është në sinkron me presidentin Anjeli, që synon si titullin, ashtu edhe Kupën e Italisë
Trajneri i Juventusit, Xhixhi Del Neri, është kthyer të flasë pas pushimeve të Krishlindjeve në stërvitjen e parë në Vinovo. Ai është i kënaqur që ka parë grupin të grumbullohet sërish pas një jave pushimesh të merituara në këtë epilog thuajse të fazës së parë të kampionatit. “Jam shumë i kënaqur që i shoh lojtarët e mi të rikthehen në stërvitje pa vonesë, ky është një shembull i madh serioziteti dhe gatishmërie, le të fillojmë pra të punojmë shumë të motivuar me prespektivat më të mira, - nënvizon Del Neri.
- Nuk është një grumbullim i vërtetë. E theksoj të rëndësishme se pas një jave pushim, lojtarët të gjënden sërish së bashku, të hanë dhe flenë mirë, një motiv i mirë për të cilin jemi grumbulluar në hotelin e qendrës bardhezi. Duke parë se është edhe fundvit, kemi studiuar një program që do t’i lejojë lojtarët të takohen me familjet e tyre gjatë javës dhe për shembull për ta kaluar ditën e parë të vitit të ri në shtëpi”. Më pas trajneri bardhezi flet për gjendjen e skuadrës: “Puna fizike na shërben për të rifituar funksionin si forcë, rezistencë dhe shpejtësi.
Pastaj është për t’u bërë puna taktike mbi situatën e provuar në korrik e tutje, - shpjegon tekniku i Juventusit. - Ndërkohë do të shikojmë edhe disa video ndeshjesh të luajtura për të analizuar disa situata. Bufon e Amauri, por edhe Martinez e De Çelje janë me ne, pa dyshim ka edhe nga ata që po punojnë të diferencuar nga të tjerët, përfshirë Del Pieron, por është e bukur të rikesh grupin e bashkuar në stërvitje. Pesë muajt e ardhshëm?
Janë shumë të rëndësishëm, sepse siç thotë edhe presidenti ynë, Andrea Anjeli, duhet të përpiqemi t’i fitojmë të gjitha ndeshjet në të dyja veprimtaritë në të cilat jemi në garë, si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Italisë. Duhet të përmirësohemi akoma në krahasim me atë ç’kemi bërë në gjashtë muajt e parë dhe të ecim përpara në rrugën tonë për të parë se çfarë ndodh. Kampionati dhe Kupa e Italisë, janë prioriteti ynë, ndaj duhet të përpiqemi të fitojmë gjithçka”, - përfundon Del Neri.