Xhianluixhi Bufon vë në siklet Luixhi Del Nerin. Portieri i kombëtares italiane, që është kthyer prej dy ditësh të stërvitet së bashku me skuadrën në Vinovo pas një dëmtimi dhe riaftësimi të gjatë, është dukur mjaft i motivuar në stërvitjen e fundit me Marko Storarin dhe Aleks Maningerin, duke mos pasur fare probleme në shpinë..
Numri një i bardhezinjve mund të kthehet të luajë mes dy shtyllave që më 13 janar, në rastin e ndeshjes së Kupës së Italisë kundër Katanias, test-kyç për të vlerësuar formën e tij aktuale, por me siguri do të jetë menjëherë në stol për ndeshjen e 6 janarit kundër Parmës në “Olimpiko” të Torinos.
Më pas do t’i takojë Del Nerit për të vendosur nëse do t’i japë besim apo do të synojë akoma te Storari, deri tani në një formë shumë të mirë, aq sa në ndeshjen e fundit priti një penallti kundër Kievos, duke pësuar gol vetëm në minutat shtesë jo për faj të tij (ndeshja përfundoi 1-1).
Largohet kështu hipoteza për të parë Bufonin të niset në janar në drejtim të Premier Ligës mes Mançester Junajtid dhe Sitit. Bufon pati deklaruar kështu pas fjalëve të Del Nerit që ngritën një farë “pluhuri”: “Me trajnerin pata një sqarim dhe mendoj se mund të besoj akoma tek ai, - shpjegoi Xhixhi.
- Sipas meje nuk donte të thoshte që unë duhet të tregoj diçka kështu do të isha fyer, por vetëm që duhet të tregoj se jam akoma në formë. Nga ana ime me Juventusin ka pasur gjithnjë transparencë dhe qetësi, pres po ashtu sqarime dhe një gjë e tillë ka ndodhur: presidenti Anjeli më tha vetë se më pret të më shohë në portë sa më shpejt të jetë e mundur”.