Mbrojtësi bardhezi bën një bilanc të viit që po mbyllet: Muajt e parë shkuan keq, duhet të rinisemi
Uroj që të fitoj një trofe në vitin 2011-të”. Është Xhiorxhio Kielini ai që prezanton ambiciet dhe shpresat për vitin e ri bardhezi: “Dhe nga aspekti individual, uroj që të bëhem gjithnjë e më i rëndësishëm për Juventusin dhe kombëtaren”, - thotë qendërmbrojtësi bardhezi. Kielini bën edhe një bilanc të vitit që po mbyllet: “Muajt e parë të 2010-ës, nuk shkuan ashtu siç shpresonim dhe kanë qenë disi me probleme, - vazhdon 26-vjeçari që më parë ka luajtur edhe me Livornon e Fiorentinën.
- Tani kemi shumë dëshirë të rinisemi për të marrë rezultate pozitive”. Në të vërtet Juvja në këtë fillim kampionati ka pasur oshilacione: “Në këtë kampionat të ri, kemi pasur disa vështirësi në fillim, por ishte normale, duke qenë se ndryshuam shumë, - vazhdon lojtari toskan. - Me kalimin e muajve kemi gjetur ekuilibër dhe tani gjërat po shkojnë ashtu siç duhet. Nuk na mbetet veç se të vazhdojmë kështu, duke u përpjekur të përmirësohemi akoma, në çdo ndeshje”.
Për sa u takon lojtarëve të rinj, sipas Kielinit ka qenë e rëndësishme ardhja e Leonardo Bonuçit, me të cilin formon tashmë një nga dyshet qendrore më të forta të kampionatit në repartin e tërhequr: “Është një djalë i shkëlqyer, - shton Kielini për partnerin e tij, - dhe një mbrojtës shumë i mirë, që po përmirësohet në çdo ndeshje. Përveç Krasiçit, që pa dyshim është shumë i rëndësishëm për ne, besoj që Bonuçi është surpriza shumë më pozitive për të gjithë”. Gjatë kësaj pjese të parë të sezonit, Kielini ka edhe ndonjë keqardhje sa u takon rezultateve:
“Kemi pësuar gol disa herë në minutat finale, por goli i pësuar të dielën e fundit në këtë kampionat ndaj Kievos, na djeg shumë, - pranon Kielini. - Sigurisht përgjegjësia është e të gjithëve dhe s’është nevoja të gjejmë fajtorin. Por dua të theksoj se ndeshja përfundon kur vërshëllen gjyqtari dhe ne duhet të jemi më të përqendruar. Të gjitha ekipeve u ka rastisur të pësojnë në fund, por ne s’duhet të kishim barazuar ndaj venetëve, sepse një fitore do të na mbante edhe më afër kreut me Milanin dhe skuadrat e tjera pretendente”.