Edhe viti 2010 ka skandalet e veta, jo vetëm në sportin gjerman. Skandale të ndryshme të idhujve të sportit në të gjithë botën zunë shpesh titujt kryesorë të gazetave
Në pranverën e vitit 2010 një aferë - e vlefshme edhe për melodrama - zuri vend në faqet e të përditshmeve gjermane. Në rolet kryesore: Michale Kempter, talenti më i njohur gjerman në botën e arbitrave dhe Manfred Amerell, anëtar i Komisionit hetimor të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB).
Kempter i sapoemëruar si arbitër akuzoi mentorin e tij për ngacmim seksual. Amerell kundërsulmoi, me deklarata që zunë vend të konsiderueshëm në shtypin bulevardesk. "Miqësi private intensive" mbi bazën e vullnetit të lirë deklaroi ai. Ai publikoi e-maile privatë, ku Kempter i shkruante funksionarit 30 dhjetë vjet më të moshuar: "Dashuria ime të përket ty."Afera vazhdon të preokupojë gjykatat. Në 2011-n priten seancat e reja. Amerell ka kërkuar 150.000 euro dëmshpërblim.
Skandalet e basteve
Por telenovela e gjyqtarit gjerman ishte vetëm maja e ajsbergut në botën futbollistike të 2010-s. Skandalet e basteve dhe mashtrimeve, prapaskenat e të cilave zbuloheshin gati çdo javë në vitin 2010 ishin një karakteristikë tjetër e botës sportive të këtij viti. Madje, vetë ndeshjet e Bundesligës dhe të kualifikimit për Botëror duket se nuk u kanë shpëtuar manipulimeve.
Edhe Federata Botërore e Futbollit FIFA e mbyll këtë vit me disa goditje. Pak para përcaktimit të Botërorëve 2018 dhe 2022, tre anëtarë të komitetit ekzekutiv të saj u pezulluan nga detyra për korrupsion. Pak më vonë edhe ish-presidenti Joao Havelange u akuzua për korrupsion. Bosi i FIFA-s, Sepp Blatter, dhe kolegët e tij reaguan me qetësi, kampionatet u nisën drejt Rusisë dhe Katarit - e para rreshtohet e 154-ta në indeksin e antikorrupsionit, vendi tjetër më i vogël se landi i Hesenit në Gjermani.
Dy futbollistë anglezë bëjnë furore
Në Francë u kthye gati në çështje shtetërore dështimi i skuadrës trengjyrëshe në Botëror. Franck Ribery, futbollist francez, profesionisti i Bayernit u bë objekt i gazetave sidomos pas lajmeve për vizitën e tij në një shtëpi publike dhe marrëdhënieve me një minorene. Edhe dy futbollistë anglezë devijuan nga ana hormonale.
John Terry, baba dhe i martuar i mori të dashurën kolegut të skuadrës, Wayne Bridge dhe bashkë me emrin e mirë humbi edhe pozicionin e kapitenit tek skuadra "Three Lions". Ndërsa në Bundesligë nuk ka pasur skandale të mëdha. Vetëm lojtari i HSV-s, Paolo Guerrero e humbi toruan, kur i flaku kokës një shishe një tifozi që po tallej.
Krahas kësaj titujt e gazetave u sunduan edhe nga aferat e vazhdueshme të yllit të lojës së golfit, Tiges Woods, i cili për shkak të varësisë së tij seksuale, jo vetëm u nda nga bashkëshortja Elin, por u dërgua edhe në një klinikë.
Çiklizmi dhe dopingu
Skandalet e dopingut dominuan botën e çiklizmit. Lance Armstrong megjithë akuzat e reja konsiderohet edhe pas vitit të tij të fundit të karrierës në çiklizëm si i papërlyer. Por ylli i ri i çiklizmit, kampioni Alberto Contador u testua pozitiv në një nga analizat e bëra.
Në Formula 1 tërhoqi vëmendjen kriza e rekordmenit të titullit kampion, Michael Schumacher. Një skenë zuri vend të posaçëm në botën e skandaleve. Schumacher ushtroi presion ndaj ish-kolegut të skuadrës së tij Rubens Barrichello në garën e Budapestit, duke i ndenjur pas në kohën që gara zhvillohej me një shpejtësi marramendëse.
Shembull për gabueshmërinë njerëzore mbetet edhe lojtari i regbisë, Joe Monaghan i skuadrës Canberra Raiders. Fotografi të bëra publike tregojnë lojtarin në një marrëdhënie të qartë seksuale me një qen. Monaghan kërkoi publikisht falje duke thënë se ishtë "një moment i pastër çmendurie".