Viti 2010 ishte historik për sportin e Spanjës. Përfaqësuesja e Spanjës në futboll fitoi titullin e kampionit të botës për herë të parë, çiklisti spanjoll Alberto Contador fitoi turneun më të madh Tour de France dhe tenisti spanjoll Rafael Nadal fitoi tre prej katër ‘grand slam’ turneve të vitit. Festa mund të ishte edhe më e madhe, sikur Fernando Alonso të mos lëshonte nga dora titullin e Formula 1 në garën e fundit.
“Bravo Spanjë!”, pati thënë presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, derisa po jepte një intervistë pas përfundimit të garës më të madhe të çiklizmit Tour de France. Sarkozy më pas shtrëngoi dorën me çiklistin Contador.
Vërtet duhet uruar Spanjën. Muaji korrik ishte historik për Spanjën, por edhe gjithë viti 2010. Gjatë muajit korrik Contador fitoi për herë të tretë turneun më të madh çiklistik Tour de France, Rafael Nadal fitoi grand slam turneun e tenisit Wimbledon. Kombëtarja e Spanjës në futboll fitoi titullin e kampionit të botës në Afrikë të Jugut, gjë që ishte kremtja më e madhe sportive në histori të këtij vendi, pasi po çonte trofeun e artë për herë të parë në këtë vend iberik.
Sporti ishte i artë për Spanjën në një vit kur kriza ekonomike goditi vendin dhe ku papunësia arriti deri në 20 përqind. “Unë thjesht kam dhënë një kontribut të vogël në një ndeshje që ishte shumë e vështirë. Shumë gjëra kanë ndodhur në fushë. Spanja meritoi të fitonte titullin e kampionit të botës”, kishte thënë Andres Iniesta, pasi shënoi golin e fitores në finalen e Botërorit 2010.
Spanja e fitoi Kampionatin Botëror kur në finale mposhti pas vazhdimeve Holandën me rezultat minimal 1-0, në një sfidë të kontestuar nga referimi kontravers.
Tenis Toreadori
Viti 2010 jo që ishte vetëm një vit i suksesshëm për Nadalin, por ishte një vit kur u dëshmua statusi i tij prej tenistit më të mirë në rruzull. Nadal fitoi tre nga katër ‘grand slam’ turnetë e tenisit këtë vit dhe poashtu përfundoi vitin në pozitën numër një në botë. Nadal fitoi ‘grand slamin’ Roland Garros, atë Wimbledon dhe US Open. Ai dështoi të fitojë vetëm Australian Open, ku u mposht në çerekfinale nga britaniku Andy Murray.
Nadal këtë vit ka vendosur edhe rekorde. Ai u bë tenisti i parë që nga viti 1969 që fitoi tre ‘grand slam’ turne rresht. Së fundi këtë e kishte arritur Rod Laveri. Nadal 24 vjeçar ka përfunduar vitin me 12,450 pikë, duke lënë pas zivceranin Roger Federer në pozitën e dytë të ranglistës ATP me 9,145 pikë. Ky është vetëm viti i dytë për Nadalin në krye të listës ATP.
“Ka qenë një vit fenomenal për mua, një nga më të mirët në karrierën time. Kam fituar Us Open, Roland Garros dhe Wimbledonin. Kam punuar shumë që të kthehem në krye dhe ndihem shumë mirë që përfundova vitin në pozitën numër një”, theksoi Nadal.
Ana tjetër e medaljes…
Siç u vërtetua në vitin 2010, sporti është një bazë e lëkundshme për të ndërtuar krenarinë kombëtare të një vendi. Kështu viti fenomenal për Spanjën nisi të prishej nga fundi. Së pari, piloti spanjoll i Formula 1, Fernando Alonso (Ferrari) e lëshoi nga dora titullin në garën e fundit, duke pësuar debakël në Abu Dhabi. Ai u mposht nga gjermani Sebastian Vettel, ndonëse para startit të garës dukej se titulli do të ishte formalitet.
Më pas, Spanja pësoi disfatë edhe në kandidaturën për organizimin e Kampionatit Botëror në vitin 2018. Organizimi i këtij Botërori iu besua Rusisë. Po ashtu, Spanja dështoi të fitojë medalje edhe në Botërorin e basketbollit të mbajtur në Turqi, ku pësoi në çerekfinale nga Serbia. Në këtë turne spanjollët shkuan si kampionë. Kjo nuk është e tëra. Spanja u përfshi nga një sërë skandalesh të dopingut në çiklizëm dhe sporte tjera, që mund ta detyrojnë Alberto Contadorin ta dorëzojë titullin e tij të Tour de France.