30 dhjetor 2010

10 vjet futboll në shekullin e ri, kush është më i miri?

Paris - Në datë 31 dhjetor mbyllet dhe viti 2010. Por dita e parë e janarit nuk është vetëm dita e parë e Vitit të Ri, por është edhe fillimi i një dekade të re. Mbyllet një cikël. Dhjetë vite me triumfe, humbje, të bërtitura dhe lot të derdhur. Kupa Bote dhe Champions Liga. Fitore të arritura me shumë vuajtje, por edhe humbje me keqardhje. Dhjetë vite futboll. Protagonistë të gjithçkaje që ka ndodhur janë vetë lojtarët. Disa mite kanë dominuar fushat e lojës në këtë periudhë kohe, ju propozojmë një seri emrash, ju takon ju lexuesve të zgjidhni vetë më të mirin e kësaj dekade. 

Kjo është lista e titujve të fituar në këtë dekadë nga disa prej lojtarëve më të mëdhenj.

Zinedine Zidane

Francezi ka luajtur për Juventusin deri kur është transferuar tek Real Madrid në verën e vitit 2001. Ka fituar kampionatin europian në vitin 2000 me Francën dhe Champions Ligën, falë një goli fantastik të shënuar nga vetë ai, në vitin 2002. Menjëherë më pas ka arritur të fitojë me klubin edhe superkupën europiane dhe Kupën Interkontinentale. I është dorëzuar në vitin 2000 dhe në vitin 2003 çmimi Fifa World Player.

Lionel Mesi

Është talenti i madh argjentinas, por deri më tani ka arritur të fitojë dy Champions Liga të fituara me Barcelonën në vitet 2006 dhe 2009, një Top të Artë dhe një Fifa World Player. Në pjesën më të madhe i dedikohet atij viti 2009 i Barcelonës ku kanë arritur të fitojnë si skuadër plot 6 trofe.

Paolo Maldini

Simboli milanist. Ikonë për të gjithë tifozët kuqezi dhe jo vetëm, mbrojtësi dhe kapiteni legjendar. Në këtë dekadë kapiteni Paolo Maldini ka ngritur në qiell dy Champions Liga dhe një botëror për klube, duke hyrë gjithmonë e më shumë në historinë e klubit milanez dhe atij botëror.

Xhianluixhi Bufon

Portier i Juventusit dhe skuadrës kombëtare italiane. Është konsideruar nga të gjithë si numri një në botë prej disa vitesh. Një model për brezin e ri të portierëve në të gjithë botën. Në vitin 2003 ka qenë finalist në Champions Ligë, ka triumfuar në Itali, dhe është ngjitur në qiellin e botës në vitin 2006, duke arritur të fitojë Botërorin. Po në atë vit, për pak ka arritur të fitojë Topin e Artë, duke arritur në vendin e dytë vetëm pas Fabio Kanavaros.

Kristiano Ronaldo

I ri shumë i talentuar, arkitekt dhe pjesëmarrës aktiv në Manchester Junaitidin e madh të vitit 2008. Ka fituar me klubin e tij një Champions Ligë, një Botëror për klube dhe disa herë kanë triumfuar si skuadër në Premier Ligë. Në nivel personal ka arritur të fitojë Topin e Artë, Fifa World Player dhe Këpucën e Artë, të gjitha të fituara në vitin 2008.

Rikardo Kaka

Sulmuesi brazilian, që aktualisht luan për Real Madrid, ka luajtur për gjashtë vite tek Milani. Me klubin kuqezi ka fituar dy Superkupa europiane në vitet 2003 dhe 2007, një Champions Ligë dhe një Botëror për klube të dy këto trofe të fituar po në vitin 2007, duke arritur të dërgojë në shtëpi po atë vit edhe Topin e Artë dhe Fifa World Player. Me skuadrën kombëtare ndërkohë, ka fituar Botërorin në vitin 2002 dhe Kupën e Konfederatave në vitet 2005 dhe 2009.

Ronaldo

Në dekadën e fundit, fenomeni është vlerësuar me Topin e Artë dhe një Fifa World Player. Deciziv në vitin 2002 për suksesin e Brazilit në Botërorin zhvilluar në Japoni dhe Korenë e Jugut.

Ronaldinjo

Fantazisti aktual i Milanit në harkun e këtyre 10 viteve ka treguar për të gjithë cilësitë e tija të jashtëzakonshme teknike, duke mahnitur të gjithë tifozët e këtij sporti kudo në botë. Në vitet 2004 dhe 2005, ka fituar çmimin Fifa World Player, duke arritur të bëj biz në vitin 2005 edhe me Topin e Artë. Me skuadrën kombëtare ka fituar botërorin në vitin 2002 dhe Kupën e Konfederatave 2005. Në vitin 2006 ka fituar me fanelën e Barcelonës Champions Ligën.

Samuel Eto

Sulmuesi kamerunas është një ndër protagonistët e mëdhenj të sukseseve në klubet ku luan. Me Barcelonën, ka fituar si protagonist Champions Ligën në vitin 2006, duke shënuar në finale. Ka më pas rekordin e tripletave radhazi, atë me Barcelonën në vitin 2009 dhe atë në vitin 2010 me fanelën e Interit. Në të dy rastet ka rezultuar shumë decizive prania e tij në skuadër.

Zlatan Ibrahimoviç

Është konsideruar një prej sulmuesve më të kompletuar të kohëve të fundit. Kudo që ka shkuar ka arritur të fitojë trofe të rëndësishëm. Duke lëvizur në shumë skuadra në Europë ka fituar shumë tituj kombëtarë. Me Ajaksin, skuadra e tij e parë e vërtetë dhe e rëndësishme, ka fituar dy kampionate holandezë. Duke u transferuar më pas tek Juventusi fiton edhe dy tituj të tjerë kampion, edhe se më pas i janë hequr nga drejtësia sportive. Në verën e vitit 2006 kalon në radhët e Interit me të cilët arrin të fitojë, falë edhe golave të tij të shkëlqyer, dhe 3 tituj të tjerë kampion. Transferimi tek Barcelona në vitin 2009 sjell për të edhe një fitore në tokën spanjolle, duke arritur të triumfojnë në La Liga me katalanasit. Aktualisht është një lojtar i Milanit, ku ndodhen në vendin e parë në klasifikim.