
Fabio Kanavaro ka mbrojtur edhe Xhixhi Bufon me Luixhi Del Nerin, trajnerin e Juventusit që disa herë ka qenë i ashpër me portierin bardhezi që po rikuperohet nga një dëmtim: "Më vjen për të qeshur kur lexoj deklarata të tilla. Xhixhi është shumë mirë, shumë shpejt do të rikthehet të luajë: ai ka numrin 1 të stampuar në lëkurë dhe nuk ka dëshirë të tregojë asgjë. Më pëlqen të mendoj, që trajneri e ka bërë për ta stimuluar akoma më shumë Storarin që tashmë luan si titullar dhe është gjithashtu shumë i rëndësishëm për skuadrën". Kanavaro më pas ka folur edhe për çështjen Calciopoli: "Andrea Anjeli bën shumë mirë që mbron Juventusin. Normale që të blihen karta për të folur me arbitrat? Jo. Por, pak a shumë të gjithë kishin marrëdhënie aspak transparente me drejtuesit e arbitrave. Duhet të fiksohen rregulla të qarta dhe të lihen të qetë arbitrat të bëjnë punën e tyre". Mbi shkarkimin e spanjollit Rafa Benitez nga drejtimi i Interit, Kanavaro është shprehur: "Mund të kishte pritur disa ditë për të folur. Sigurisht, që Interi është kthyer në situatën e pesë viteve më parë. I uroj shumë suksese Leonardos. Milani? Me Ibrahimoviç në përbërje është në pole position për titullin kampion. Kasano? I uroj që të shprehë në skuadrën kuqezi talentin e tij me vazhdimësi për të hedhur poshtë të gjithë zërat kundër tij".