27 dhjetor 2010
Hamsik: "Interi dhe Juventusi do të tregojnë nëse jemi të mëdhenj"
Pas një fund viti 2010 që ka qenë i shkëlqyer për Napolin e tij, sllovaku Marek Hamsik është duke shijuar disa ditë pushime të merituara përpara se të kthehet në stërvitje me skuadrën, për të zhvilluar dhe dy ndeshjet e fundit që kanë mbetur nga faza e parë. Përballë skuadrës napoletane do të jenë jo pak, por Interi dhe Juventusi. Mesfushori i talentuar sllovak është i qartë për rëndësinë e këtyre ndeshjeve që do të zhvillohen pas rifillimit të kampionatit, dhe tregohet një luftëtar i lindur: "Pas këtyre dy ndeshjeve do të shikohet se ku mund të mbërrijmë. Do të jenë shumë të rëndësishme, dëshirojmë të bëjmë një punë të mirë, kur do të kthehemi duhet të punojmë menjëherë shumë, sepse janë dy ndeshje shumë decizive". Marek ëndërron titullin kampion, por në komentin e tij preferon ta mbajë profilin e ulët: "Titulli kampion? Të ëndërrojmë po, por duhet të vazhdojmë të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos shpërqendrohemi në këtë moment. Të mendojmë si të mëdhenj dhe të tregojmë çdo të dielë në fushën e lojës që jemi të fortë", kanë qenë fjalët e sllovakut për "Sky Sport". Në fund të komentit të tij, Hamsik ka shprehur një batutë për Interin, që do të presë Napolin në 6 janar në San Siro: "Nuk dija asgjë për shkarkimin e Benitezit. Jam shumë i surprizuar, por nuk më intereson aspak".