Torino (Itali)- Asnjë mungesë në vitin 2010, as edhe një stop në kampionat, një dhimbje, një gjendje e lehtë gripale, ndonjë shqetësim muskular, por asgjë nuk e ndal. Bari apo Juventus, Leonardo Bonuci është luftëtari i shkëlqyer, një ndër blerjet më të goditura të merkatos verore të Bepe Marrotës. "Fat i mirë që kundër Parmës luhet në vitin e ri, kështu që nuk shkatërroj një rekord të vogël personal", buzëqesh i kënaqur mbrojtësi i qendrës së skuadrës së Del Nerit, një ndërprerje e detyruar, pasi ka arritur limitin e ndëshkimeve, i skualifikuar për javën e parë pas rikthimit të kampionatit. "Një arritje e madhe? Asnjë mrekulli, vetëm pak fat, meritë e prindërve të mi, nëse kam një shëndet kaq të mirë", buzëqesh Bonuci.
Edhe golat
Dy gola në kampionat, një gol në Europa Ligë në 25 ndeshje me fanelën e Juventusit përballë një investimi prej 14.5 milionë eurosh që duhet t'i paguhen Barit në tre vite. Një investim shumë i mirë për një lojtar vetëm 23 -vjeçar që në vitin që sapo përfundon ka debutuar edhe në skuadrën e kaltër në 3 mars kundër Kamerunit, dhe aktualisht është titullar në Italinë e Cesare Prandelit, duke treguar shenja të mëdha përmirësimi ndeshje pas ndeshje siç ka nënvizuar edhe vetë trajneri Prandeli. "Bilanci i vitit nuk mund të mos jetë pozitiv për mua, shprehet ai. Nga një lojtar pothuajse i panjohur përballë publikut, kam arritur të shkoj në skuadrën kombëtare dhe tek Juventusi. Jam shumë i lumtur". Asnjë dyshim mbi objektivat për vitin e ardhshëm. "Dëshiroj të përmirësohem përsëri dhe të fitoj sa më shumë të jetë e mundur. Do të bëjmë gjithçka për të marrë kënaqësi të mëdha, duke luftuar në çdo ndeshje, duke filluar nga ndeshja e parë e vitit 2011, atë kundër Parmës".
Rritja ime
I përqendruar, njohës i mirë i disa limiteve "mund të përmirësohem akoma afër portës kundërshtare dhe të dërgoj ndonjë top më shumë në tribunë siç kërkon Del Neri edhe se më pëlqejnë lëvizjet e kujdesshme dhe ndonjëherë marr përsipër edhe ndonjë rrezik". Forca e Leonardo Bonucit është tek vetvlerësimi. Nuk mund të ishte ndryshe për një lojtar që i është dashur të zëvendësoj në qendër të mbrojtjes së Italisë dhe Juventusit një lojtar të madh si Fabio Kanavaro. Inkoshienca e rinisë? "Përse kështu? Kam zhvilluar një kampionat të madh me Barin, në të kundërt nuk do të kisha mbërritur tek Juventusi, kam shumë uri dhe nuk jam ngopur, nuk kam fituar akoma asgjë të rëndësishme".
I destinuar për këtë karrierë
Shikohej që në fillimet e veta që ishte një çështje kohe. Kjo ishte kuptuar. Në shtëpinë Bonuci janë të gjithë tifozë të Interit nga momenti kur i vogli Leonardo ka shkuar të stërvitet në Apiano Xhentile: ka fituar një kampionat për të rinjtë me zikaltërit, sukses në Kupën e Italisë dhe kampionat, eksperiencat e para në bankinë me skuadrën e parë zikaltër, debutimi në 14 maj 2006 në Serinë A. Më pas, një rrugë e gjatë nëpër disa skuadra si Treviso dhe Pisa në formë huazimi, Interi gjithmonë e më larg. Gjithçka ndryshon në vitin 2009. Gjatë tratativës për të marrë shërbimet e Tiago Motës dhe Militos, kartoni i Bonucit është ndarë në gjysëm ndërmjet Xhenovas dhe Barit. Që më pas është kthyer në një element shumë të rëndësishëm që i ka ndryshuar karrierën: 38 ndeshje dhe një gol me skuadrën e Venturës. "Unë ndërkohë jam delja bardhezi e familjes, kam bërë gjithmonë tifo për Juventusin, në dhomën time kam posterin e Perucit dhe Alesandro Del Pieros", kujton me krenari Bonuci. Numrin 19 nuk e ka braktisur asnjëherë, tek Bari, tek Juventusi dhe në skuadrën e kaltër. Numër fatsjellës për të, dita e lindjes së mikeshës së tij, Martina. Adhuron muzikën italiane (Jovanoti, Aleks Briti, Vasko Rosi), ka gjetur shtëpi në qendër të qytetit, në rrugën "Gioliti", dhe gjithmonë shikohet në lëvizje me qenin e tij.