22 dhjetor 2010

Shaqiri në Mynih, negocion me Bayernin

Basel, 22 dhjetor - Mesfushori kosovar i Baselit, Xherdan Shaqiri, është vetëm një hap larg skuadrës më të madhe gjermane, Bayern Munchen, shkruajnë të martën mediumet zvicerane. Sipas tyre, interesimi i Bayernit dhe i shumë skuadrave të tjera për Shaqirin 19-vjeçar është i njohur, por skuadra bavareze ka bërë një hap përpara ekipeve të tjera. Kosovari Shaqiri gjatë këtyre ditëve është parë në qytetin e Munchenit dhe kjo në shoqëri të drejtorit sportiv të Bayernit, Christian Nerlinger, në një restorant të quajtur "La Baracca".
Mediat zvicerane pohojnë se aty është diskutuar mundësia e transferimit të Shaqirit te Bayerni, gjë që edhe vetë lojtarit do t'i plotësohej ëndrra, pasi në disa raste ka potencuar se e ka klub për qejfi.
"Rezultatet e takimit mes Nerlingerit dhe Shaqirit pritet të shihen gjatë këtij muaji, duke pasur parasysh se miniafati kalimtar i janarit është afruar. Pos Shaqirit, drejtuesit e Bayernit po përcjellin edhe mesfushorin tjetër të Baselit, Granit Xhakën", shkruan të martën "Sport.ch".
Shaqiri ka kontratë me skuadrën e Baselit deri në qershorin e vitit 2014. Ai ia ka rënë në sy Bayernit, pasi ka luajtur dy herë ndaj kësaj skuadre në garat e Ligës së Kampionëve. Ai kërkohet edhe nga skuadrat e tjera evropiane të mëdha, si Barcelona, Juventus, Inter, Liverpool, Genoa, Lazio, Hamburg e Wolfsburg.
Madje skuadrat italiane si Juventus e Inter patën shprehur gatishmëri të paguajnë dëmshpërblim deri në dhjetë milionë euro për transferimin e tij gjatë këtij dimri. Shaqiri këtë edicion ka regjistruar 29 paraqitje me Baselin në të gjitha garat dhe ka shënuar tre gola, kurse me Përfaqësuesen e Zvicrës ka një gol të shënuar në nëntë ndeshje. Ai ishte pjesë e "helvetikëve" edhe në kampionatin botëror "Afrika e Jugut 2010", pjesë e së cilës ishin edhe Valon Behrami i West Ham Unitedit dhe Albert Bunjaku i Nurnbergut.