23 dhjetor 2010

Perdedajt i dyfishohet vlera

Paraqitjet e mira këtë sezon me Hertha Berlin ia kanë dyfishuar vlerën futbollistit shqiptar Fanol Perdedaj. Sipas uebfaqes transfermarkt.de, e cila merret me vlerën e futbollistëve, pesha e talentit 19 vjeç është rritur nga 250 mijë euro, në 500 mijë sosh. Ekipi nga liga e dytë gjermane gjendet në krizë financiare, pasi ka borxhe të shumta.

Por, mesfushori Perdedaj, që në Gjermani krahasohet me Gennaro Gattuson e Milanit, bashkë me tre lojtarë të tjerë, shihet si shpëtimtar i Herthas, e cila me këtë rast sheh dritë në fund të një tuneli.

“Mendoj se duhet t’i korrim frutat e djelmoshave tanë. Këta lojtarë tashmë janë model dhe kanë nj rol të rëndësishëm në skuadër. Ata janë e ardhmja e Herthas, por dikur, njëri apo tjetri, do të shkojnë”, deklaroi presidenti i klubit nga liga e dytë gjermane, Werner Gegenbauer.

Këtë vit, katër futbollistë të rinj, Sebastian Neumann (19), Fanol Perdedaj (19), Nico Schulz (17) e Marco Djuricin (18) janë bërë pjesë e rëndësishme e skuadrës së Herthas, e cila planifikon të pasurohet me shitjen e tyre në të ardhmen.