23 dhjetor 2010

Del Neri: Të fitojmë çdo ndeshje në 2011-n

Trajneri i Juventusit, Gigi Del Neri u shpreh i kënaqur me ecurinë e deritanishme të skuadrës së tij, ndërsa ngriti dukshëm stekën për vitin e ardhshëm, gjatë një intervistë për “Sky Sports”.

”Detyra jonë si ndjekës i Milan-it është të futemi në fushë, që prej ndeshjes së parë të vitit 2011 dhe të kërkojmë që të fitojmë secilin prej takimeve që do të zhvillojmë”, deklaroi Del Neri.

”Eshtë e qartë se jo gjithmonë do të jetë e mundur të fitojmë, por vetëm një ekip me mendësi fituesi mund të prertendojë për tituj dhe nuk ka dyshime që Juventusi duhet të jetë një prej këtyre skuadrave”.

Vështirësitë e fillimit janë kaluar dhe tani bardhezinjtë mund të përqendrohen në rritjen e vazhdueshme deri në nivelet më të larta. “Në fillimin e sezonit duhet të punim me një grup të ri lojtarësh dhe integrimi, formimi i një blloku të vetëm kërkon gjithmonë një periudhë kohore”, vazhdoi italiani.

”Më vjen keq që u eliminuam nga Europa League, por mund të them me siguri se nëse do të kishim luajtur si tani që tre muaj më parë, atëherë ky kompeticion do të kishte ende një skuadër italiane më shumë në garë”.

Gjatë intervistës, Del Neri preku edhe çështje të tjera të rëndësishme si merkato e janarit, rinovimi i Del Pieros apo kontributi i Krasic.

”Krasic i ka të gjitha mundësitë që të shndërrohet në një futbollist të nivelit botëror, por është e qartë që ka ende shumë hapësirë për t’u përmirësuar. Del Piero ka luajtur pothuajse në të gjitha ndeshjet deri tani, si titullar ose zëvendësues. Kjo flet vetvetiu për rëndësinë që ka ai brenda kësaj skuadre.

Problemet me Buffon? Komunikimi me shtypin shndërrohet në një problem vetëm në rastet kur dikush nuk kupton apo bën sikur nuk kupton. Cassano? Një blerje e mirë për Milan-in. Nëse do të arrijë të dalë në potencialin e tij të vërtetë, atëherë mund t’i krijojë probleme çdo skuadre”.