23 dhjetor 2010

Pazari i janarit per futbollistet Shqipetar


Dragusha e Leci kalojnë në Kalmar

Mbrojtësit e Përfaqësueses së Kosovës, Alban Dragusha e Liridon Leci, karrierën do ta vazhdojnë në kampionatin e Suedisë "Allsvenskan". Dragusha 29-vjeçar dhe Leci 25-vjeçar kanë arritur marrëveshje me skuadrën e Kalmarit. Kjo është bërë e ditur të mërkurën nga përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, që ka ndërmjetësuar në këtë transferim, ndërsa është konfirmuar edhe nga vetë Dragusha, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dragusha e Leci me Kalmarin do të firmosin kontratë trevjeçare. Kontrata do të nënshkruhet në fillim të janarit. Dy futbollistët janë duke luajtur në Superligën e Shqipërisë. Dragusha është pjesë e Skënderbeut të Korçës, ndërsa Leci aktivizohet me Kastriotin e Krujës.
"Kalmari i ka përcjellë një kohë të gjatë Dragushën dhe Lecin. Leci është përcjellë që nga ndeshja e Përfaqësueses së Kosovës me Halmstadin, e luajtur më 10 qershor. Edhe Dragusha është përcjellë një kohë të gjatë. Përfaqësuesit e Kalmarit kanë qenë në Shqipëri dhe kanë përcjellë nga afër Dragushën e Lecin", ka thënë Bunjaki të mërkurën për gazetën. Ai ka bërë të ditur se dy mbrojtësit do t'i bashkohen Kalmarit më 10 janar.
"Marrëveshja është arritur, ndërsa ka mbetur që të nënshkruhet kontrata dhe të rregullohen dokumentet, përkatësisht të sigurohet viza. Marrëveshja është afatgjate, ndërsa në aspektin ekonomik nuk është shumë më e mirë se ajo që lojtarët kishin në Shqipëri. Por në aspektin sportiv është hap i madh para, pasi ata po vijnë në një kampionat më të organizuar. Mendoj se Albani dhe Liridoni mund të përshtaten shumë mirë në kampionatin e Suedisë", ka shtuar Bunjaki. Ai më herët ishte ndihmëstrajner në Kalmar.
Dragusha karrierën e ka nisur në 2 Korrik të Prishtinës. Më pas ka luajtur për KEK-un dhe Kosovën e Prishtinës, Bakunë e Azerbajxhanit, Besën e Kavajës dhe Trepçën. Leci nisi të luante në Kosovë të Prishtinës. Më pas ka luajtur për Prishtinën, Elbasanin, Flamurtarin e Vlorës, Besën e Kavajës dhe Vllazninë e Shkodrës.
"Kam edhe gjashtë muaj kontratë me Skënderbeun, por drejtuesit e klubit janë pajtuar që të më lirojnë të kalojë në Kalmar. Në njërën anë më vjen keq që po largohem nga Skënderbeu, pasi skuadra po marshon sigurt drejt titullit të kampionit të Shqipërisë. Por ky rast nuk vjen çdo ditë, prandaj edhe kam pranuar ofertën e Kalmarit. Marrëveshja me Kalmarin është trevjeçare", ka thënë Dragusha.
Titullin e vetëm të Suedisë Kalmari e ka fituar në vitin 2008. Ka fituar edhe tri kupa të këtij vendi. Në të vërtetë Kalmari vlerësohet ndër skuadrat më të forta të Suedisë, në pesë vitet e fundit. Kampionatin e vitit 2010 e ka përfunduar në pozitën e nëntë. Pjesë e Kalmarit është edhe portieri kosovar Etrit Berisha. Berisha tashmë është stabilizuar në përbërjen bazë të Kalmarit. Para një jave shefi i skautëve të Kalmarit, Kjell Nyberg, ka bërë të ditur se është në negociata me disa lojtarë nga Kosova. Ai ka thënë se në Kosovë ka shumë futbollistë interesantë për Kalmarin.

Pazari i janarit

Ende pa filluar afati kalimtar i janarit, disa futbollistë shqiptarë kanë ndërruar skuadrat. Sulmuesi kosovar Gëzim Istrefi, nga klubi Carlstad United, është transferuar te ekipi nga elita e futbollit suedez, Gais. Ndërsa, mesfushori Astrit Ajdareviç nga Orebro është transferuar në ekipin suedez Norrkoping.

Mirëpo, afati kalimtar i janarit pritet të sjell edhe disa transferime të lojtarëve shqiptarë që luajnë nëpër ekipe të ndryshme evropiane, si: Xherdan Shaqiri, Shefki Kuqi, Valon Behrami, Mërgim Mavraj etj.

Xherdan Shaqiri

Talenti kosovar Xherdan Shaqiri, gjatë afatit kalimtar të janarit, ka gjasa që të largohet nga Basel, pasi në adresë të 19 vjeçarit kanë arritur oferta nga klube të mëdha evropiane, si: Bayern Munchen, që duket të jetë më i interesuari, pastaj Wolfsburg, Hamburg, Dortmund, Inter, Juventus, Arsenal, Liverpool etj. Mesfushori i Kombëtares zvicerane nuk e ka përjashtuar mundësinë që gjatë janarit t’i thotë lamtumirë Baselit.

Shefki Kuqi

Sulmuesi vushtrrias ka përfunduar huazimin në Derby County, derisa është rikthyer në Swansea City, me të cilin ka kontratë deri në fund të këtij sezoni. Mirëpo, Kuqi gjatë janarit pritet të largohet nga ky klub. Ish reprezentuesi i Finlandës ka disa oferta, por nuk përjashtohet mundësia që ai të transferohet në Derby County, ku me sukses luajti këtë sezon në Championship.

Valon Behrami

Valon Behrami është në shitje dhe nga kjo mund të përfitojë Roma. Për shkak të lëndimeve të njëpasnjëshme, futbollisti kosovar duket se nuk po e kënaq udhëheqësin e West Hamit, që ka vendosur ta shesë. Klubi londinez, i cili e transferoi përfaqësuesin zviceran në verën e vitit 2008 nga Lazio për 5 milionë funte, për të hequr dorë nga 25 vjeçari kërkon shumën e njëjtë. Ekipi Giallorossi është në kërkim të një zëvendësuesi të mirë të mbrojtësit Cassetti dhe Behrami konsiderohet ideal për ekipin e trajnerit Claudio Ranieri.

Blerim Xhemajli

Përpos Fiorentinës, e cila synon ta shkëmbejë me mesfushorin Cristiano Zanetti, së fundmi edhe Napoli ka shprehur interesim për futbollistin shqiptar Blerim Xhemajli, kanë shkruar mediet italiane këto ditë. Napoli është i interesuar edhe për mesfushorin Inler nga Udinese, por udhëheqësit napolitanë mund të arrijnë më lehtë te 26 vjeçari nga Maqedonia, i cili aktualisht luan me Parmën. Duhet cekur se gjysmën e kartonit të përfaqësuesit zviceran e mban Torino.

Bajram Fetai

Bajram Fetai i ka dhënë fund aventurës me skuadrën daneze Nordsjaelland. Sulmuesi shqiptar me prejardhje nga Gjermania gjatë janarit pritet të gjejë angazhim. “Do më pëlqente të luaja në Itali, Spanjë, por edhe Gjermania do më përshtatej dhe do ta preferoja. Këto janë prioritete të miat. E dua një ambient të ri dhe dua që ta bëj hapin e radhës me talentin tim”, ka thënë ai.

Mërgim Mavraj

Mërgim Mavraj është liruar nga Vfl Bochum. Mbrojtësi kosovar nuk bën më pjesë në planet e ekipit nga liga e dytë gjermane. Këtë e ka bërë të ditur klubi gjerman përmes ueb faqes së vet zyrtare. Mbrojtësi kosovar ka thënë se ka oferta nga klube të ndryshme, derisa për të ardhmen do të vendosë shumë shpejt.

Valdet Rama

Mos-aktivizimi me ekipin e parë këtë sezon e ka shtyrë sulmuesin e përfaqësues së Kosovës të mendojë seriozisht për largim nga skuadra e Hannoverit gjatë afatit kalimtar të janarit, edhe pse ka kontratë deri në verë të vitit 2012. Për shërbimet e futbollistit kosovar, interesim ka shfaqur Energie Cottbus, që e do atë qysh në janar.

Pajtim Kasami

Pajtim Kasami pritet të largohet nga Palermo gjatë afatit kalimtar të janarit. Mesfushori shqiptar pritet të huazohet te ndonjë skuadër tjetër, pasi te klubi sicilian po përballet me një konkurrencë të madhe, e cila nuk po i krijon atij hapësirë për t’u futur në ekipin e parë.
Për shërbimet e talentit shqiptar tashmë janë të interesuara tri ekipe nga e elita e futbollit italian; Cesena, Chievo dhe Bari. Po ashtu ai ka oferta edhe nga klubi i Serie B, Padova.

Erton Fejzullahu

Edhe sulmuesi kosovar Erton Fejzullahu po e pret afatin kalimtar të janarit për t’u larguar nga klubi holandez NEC Nijmegen, ku këtë sezon po aktivizohet shumë pak. Ai ka gjasa të rikthehet te klubi suedez Mjallby, aty ku bëri emër.

Flamur Kastrati

Sulmuesi kosovar pritet të largohet nga Twente në formë huazimi, pasi ende nuk i është dhënë mundësia të luajë me ekipin e parë. Flamur Kastrati ka bërë të ditur se ka oferta nga klubi anglez Ipswich Town, pastaj Rosenborg, Sparta Rotterdam dhe Osnabruck.

Njazi Kuqi

Reprezentuesi i Finlandës aktualisht është futbollisti i lirë. Njazi Kuqi u la i lirë nga klubi i ligës së dytë skoceze FC Dundee, pasi bankrotoi dhe ra nën administrim. Vushtrriasi gjatë janarit pritet të gjejë një klub të ri, derisa ofertat për të nuk mungojnë.

Shqipron Skeraj

Edhe mbrojtësi kosovar është futbollisti i lirë. Skeraj gjatë verës u largua nga Koblenz dhe nuk gjeti angazhim, derisa mbeti pa klub pjesën e parë të këtij sezoni. Ish futbollisti i Prishtinës gjatë janarit ka gjasa të kalojë te ndonjë klub nga Bundesliga 2 ose te ndonjë skuadër zvicerane.

Ervin Skela

Po ashtu edhe kapiteni i Kombëtares shqiptare është pa klub. Skela ka pushuar këtë stinor dhe pritet që në janar të transferohet te ndonjë klub i ligës së dytë gjermane.

Bajram Sadrijaj

Fatin e Skelës dhe Skerajt e pati edhe Bajram Sadrijaj. Skuadra e Borussia Dortmundit gjatë verës nuk ia vazhdoi kontratën dhe ai nuk arriti të gjejë angazhim gjatë verës, derisa pritet që shumë shpejt të gjejë klubin e ri.

Agim Ibrahimi

Sulmuesi me prejardhje nga Tetova është në kërkim të një skuadre. Ibrahimi para disa dite u nda me klubin nga elita e futbollit turk Eskisehirspor, ku ishte transferuar gjatë kësaj vere.

Andis Shala

Sulmuesi gjakovar nuk është i kënaqur me tretmanin që po i bëhet te klubi skocez Dundee United. Ai ka paralajmëruar se do të largohet nga ky klub gjatë janarit nëse gjen ndonjë klub ku do të ketë hapësirë më të madhe.

Besart Ibraimi

Ish sulmuesi i Renovës këtë sezon ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje me klubin e Schalkes në Bundesliga. Ibrahimi gjatë janarit pritet të huazohet te ndonjë klub tjetër, ku do të ketë mundësinë të luajë më shumë dhe të bëjë përvojë.

Shkodran Metaj

Mesfushori kosovar këtë sezon është aktivizuar fare pak me klubin holandez Groningen. 22 vjeçari ka gjasa të mëdha që qatë afatit të janarit të gjejë ndonjë klub të ri, ku do të mund të luante më shumë

Berat Sadik & Drilon Shala

Dy sulmuesit shqiptarë janë futbollistë të lirë, pasi kontrata me klubin finlandez Lahti iu ka skaduar. Sadik dhe Shala para disa dite janë privuar te klubi nga liga e dytë holandeze Go Ahead Eagles. Të dy kanë lënë përshtypje të mira te ky ekip, por nuk kanë vendosur nëse do të nënshkruajnë pasi pritet të testohen te një klub nga Serie B. Shala dhe Sadik shumë shpejt do të vendosin se ku do ta vazhdojnë karrierë.