23 dhjetor 2010

Derby, eksperiencë pozitive

Cikli i huazimit të Shefki Kuqit në Derby County ka përfunduar pas tre muajsh, ashtu siç ishte arritur marrëveshja me ekipin e tij Swansea City. Sulmuesi kosovar me Derbyn ka zhvilluar tetë ndeshje, ndërsa ka realizuar dy gola.

Ish përfaqësuesi finlandez ndihet i kënaqur me eksperiencën e shkurtër që pati në ekipin nga liga e dytë angleze. “Kam bërë atë që është dashur ta bëja. Ndoshta nuk kam shënuar aq gola sa kam dashur, por mendoj se kontributi im është parë në çdo ndeshje”, theksoi Kuqi për mediat finlandeze.

Për shkak të zgjedhjeve të trajnerit, 34 vjeçari nuk luajti rregullisht në ndeshjet e fundit. Por, Derby i humbi 4 nga 5 ndeshjet e fundit pa Kuqin. Sidoqoftë, mesfushori vushtrrias nuk e fsheh dëshirën që të luajë sërish me Derbyn.

“Derby më njeh tashmë mua, pasi më ka parë duke luajtur. Në ditët e fundit të huazimit kishim disa biseda. Në realitet, do të dëshiroja të luaja edhe për një vit këtu. Kjo është situata momentale, të shohim se çka do të ndodhë në të ardhmen”, vazhdoi Kuqi.