23 dhjetor 2010

Juve, gati Xhila nëse ikin Sisoko e Amauri

“Bomberi” i Fiorentinës mund të vijë që në janar. Pëlqehen Poli dhe Osvaldo. Boniperti i ri, profesionist

Të dhënat e merkatos që dha para dy ditësh Bepe Marota, nuk kanë qenë të pavërteta. Politika e Juventusit është transparente: në janar do të punohet jo vetëm për të plotësuar organikën dhe riaftësuar ndonjë të dëmtuar, por edhe për praninë e rasteve të mëdha ekonomike.

Asnjë investim konsistues, pra, paratë e vërteta do të vendosen në pjatë në qershor e tutje, kur sigurisht do të marrë jetë merkatoja bardhezi: thuajse sigurisht do të vijë Xhilardino, Pacini e Dzeko, me përjashtim që boshnjaku të mos shkojë te Bajerni i Mynihut që në janar.

Zgjedhja e parë mbetet Xhilardino, për të cilin nuk është për t’u përjashtuar një tentativë e shpejtë, por vetëm në rast të hyrjeve të rëndësishme, ndoshta me shitjet e Amaurit dhe Sisokos.

BURIME ANGLEZE - Por për momentin “duhet plotësuar organika”, - rithekson administratori i deleguar Bepe Marota. Dhe atëherë pra, në gjueti të një qendërsulmuesi të mirëfilltë dhe të një qendërmbrojtësi në gjendje, mundësisht të luajë edhe në krah.

Nëse pastaj do të niset Sisoko, është e pashmangshme blerja e një tjetër mesfushori. Nga Anglia, vijnë burime interesante. Mes objektivave të Marotës qenka në të vërtet Pablo Daniel Osvaldo, sulmuesi 24-vjeçar i Espanjolit, i ndjekur edhe nga spanjollët e anglezët.

Osvaldo ka lindur në Argjentinë, por ka veshur edhe fanellën e kombëtares “axurre” U-21 dhe të Olimpikes italiane. Një qendërsulmues i mirë, në Serinë A ka luajtur edhe me Atalantën, Leçen, Fiorentinën e Bolonjën.

TË TJERËT - Vështirë të gjënden sulmues për Juventusin me çmimin thuajse zero. Për këtë bardhezinjtë, po kërkojnë të vendosin në shitje Momo Sisokon ofruesit më të mirë. Marota synon të përfitojë jo më pak se 8 milionë euro për gjigantin nga Mali, i ndjekur me shumë interesim para së gjithash në Gjermani e në Angli:

Para për t’u riinvestuar në një pjesë të vogël për një tjetër mesfushor (pëlqehet Poli, që Sampi mund të ketë interes ta huazojë ose ta shesë në bashkëpronësi) dhe në pjesën më të madhe pikërisht për një sulmues, ndoshta me formulën e huazimit të shtrenjtë me të drejtë riblerjeje të detyrueshme.

Në shënjestër të Marotës janë po Xhilardino, përveç Pinilës, Benzemasë, Matrit e Maksi Lopezit. Berbatov? Bullgari është gjithnjë i lidhur me çështjen e Xhixhi Bufonit dhe të një interesimi të Mançester Junajtid për portierin “axurr”. Në mbrojtje po vëzhgohen Manfredini i Atalantës, Boketi e Santakroçe.

BONIPERTI PRO - Ndërkohë Filipo Boniperti ka nënshkruar kontratën e tij të parë si profesionist. Nipi i të madhit Xhiampiero ka debutuar me fanellën e Juventusit më 16 dhjetor në Ligën e Europës kundër Mançester Sitit.

Dhe duke qëndruar tek të rinjtë, Marota e Paratiçi, po vëzhgojnë merkaton e gjysmës së botës. Në Brazil ka përfunduar në shënjestër Lukas Piazon, 16 vjeç, fantazist i Sao Paolos, që i pëlqen edhe Çelsit. Në Rumani e shohin të sigurt blerjen përfundimtare të Laurentio Konstantin Branesku, portieri 16-vjeçar i Ramnicu Valcea, që i intereson edhe Interit.