Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini ia ka dhënë dritën e gjelbër transferimit të Pajtim Kasamit në Padova. Mirëpo, mesfushori shqiptar me prejardhje nga Maqedonia nuk dëshiron të luajë Serie B. Këtë e ka bërë të ditur drejtori sportiv i Padovas, Rino Foschi.
“Fjalët e presidentit Zamparini na pëlqejnë. Kasami është një djalosh që e njoh në realitet edhe para se të arrinte në Palermo, sepse e pata parë duke luajtur në Zvicër. Do të ishte një lojtar i ri interesant për të luajtur në këtë ligë. Me Palermon kemi arritur marrëveshje, por ky lojtar i ri nuk dëshiron t’ia dijë për të luajtur në një kategori më të ulët garash”, ka thënë Foschi për uebfaqen mediagol.it.
Sipas Foschit, kur Kasami dhe menaxheri i tij ta kuptojnë se Padova është një vend i rëndësishëm ku mund të arrinte sukses dhe ku do të bëhej lojtar i rëndësishëm duke luajtur në vazhdimësi, ndoshta do të bindet që t’i bashkohet këtij klubi.
Përpos Padovas, interesim për përfaqësuesin U21 të Zvicrës kanë shfaqur edhe skuadrat nga Serie A, Cesena, Bari dhe Chievo.