Aventura e Valon Behramit me West Hamin sipas të gjitha gjasave do të përfundojë në muajin janar të vitit që po vjen. Mesfushori kosovar pritet që t’i bashkohet Romës, edhe pse për të interesim kanë shprehur edhe disa klube të tjera italiane.
Sipas uebfaqes goal.com, drejtuesit e skuadrës italiane i kanë nisur bisedimet me zyrtarët e klubit anglez rreth realizimit të transferit të Behramit në stadiumin Olimpico.
Goal.com ka bërë të ditur se Roma është e gatshme që t’i paguajë West Hamit një dëmshpërblim prej rreth 5.2 milionë eurosh për ta bërë të vetin 25-vjeçarin me pasaportë zvicerane.
Thuhet se ekziston disponim i mirë mes dy palëve për ta realizuar transferimin e Behramit nga West Hami në kryeqytetin italian. Ndërkohë, edhe vetë reprezentuesi zviceran preferon t’i bashkohet Romës.
“Ka pasur interesime edhe nga skuadrat e tjera. Por, pothuajse është e sigurt se Behrami do t’i bashkohet Romës”, ka thënë një burim i goal.com, brenda West Hamit.
Sipas këtij burimi, West Ham nuk do ta pengojë realizmin e këtij transferimi, pasi është në interes të tij që ta shesë kosovarin, sepse ekipi anglez ka nevojë për para.
“West Ham ka nevojë për të holla dhe sigurisht se nuk do të luftojë për ta mbajtur Behramin në skuadër”, ka theksuar ai burim.
Behrami edhe gjatë verës që lamë pas ishte shumë afër të ndahej me West Hamin, për t’iu kthyer futbollit italian, por kjo mundësi kishte dështuar krejt në fund. 25-vjeçari i qe bashkuar West Hamit nga Lazio në vitin 2008.