24 dhjetor 2010

Ngjarjet nga Sporti Vendorë - Kosova

Bojkotuesit nuk ndëshkohen

Katër skuadrat e seniorëve kanë “bojkotuar” garat e Kupës së Kosovës në basketboll, ndeshje të cilat është dashur ti zhvillojnë në kuadër të rrethit të parë të garave. Lipjani, Llapi, Victory dhe Ylli, janë këto katër skuadrat që garojnë në kategorinë e dytë të basketbollit ne vend, ndërkaq nuk e kanë parë të arsyeshme fare të zhvillojnë ndeshjet që ishin dashur ti zhvillojnë kundër Bambit, Kolegjit Eurosport, Trepçës përkatësisht Mitrovicës. Mos paraqitja e skuadrave në terminet e parapara të garave të Kupës, sipas propozicioneve të garave të basketbollit duhet të dënohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), por sipas komisarit të garave, Nazmi Paçarada këtë herë skuadrat nuk do të dënohen. Ai shprehet se skuadrat nuk po mund të paraqitën në këto gara për shkak të mungesës së mjeteve financiare. “Normalisht që është dashur ti dënojmë skuadrat për mospjesëmarrje në garat e Kupës, por tani duhet ti kuptojmë pasi ato kanë paralajmëruar më parë që nuk do të garojnë pasi jo që nuk kanë dëshirë të luajnë në garat për kupë, por problem janë mjetet financiare”, bëri të ditur Paçarada.

Gjinali ka përkrahjen e bordit

Trajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali ka përkrahjen maksimale të drejtuesve të KF Liria, është shprehur drejtori i kësaj skuadre Hatmi Gashi. Sipas tij, bordi i klubit këto ditë ka bërë një analizë të hollësishme të punës së trajnerit dhe skuadrës në përgjithësi për stinorin vjeshtor dhe kanë vendosur që të vazhdojnë edhe në pranverë me Gjinalin në krye të shtabit profesional. “Ne u takuam në mbledhje dhe njëzëri vendosëm që të vazhdojmë me trajnerin Gjinali, i cili kurrë nuk ka qenë në dyshim nga ana jonë”, tha fillimisht drejtori, Gashi. Nga takimi i “bosave” të skuadrës më së keqi e pësoi trajneri i juniorëve të skuadrës, Genc Tamniku, i cili për shkak të rezultateve të dobëta me skuadrën gjatë stinorin vjeshtor është larguar nga detyra e tij e deritanishme. Këtë e konfirmoi edhe drejtori Gashi, duke mos dashur të spekuloi se kush do ta zëvendësoi atë. “Tamniku kishte paraqitje shumë të dobëta, nuk e di si ka ardhur puna deri këtu që juniorët tanë të jenë në pozitën e parafundit, kjo nuk është e drejtë për një skuadër siç është Liria, për këtë shkas vendosëm që të largojmë nga detyra e trajnerit të juniorëve atë. Do të shohim në ditët në vazhdim për zëvendësuesin e Tamnkiut”, tha më pas Gashi. Liria me të përfunduar pjesa e parë e edicionit largoi nga skuadra gjashtë futbollistë, por ata ende janë në pritje të futbollistëve të rinj. Gashi tha se janë në vëzhgim të disa futbollistëve nga Shqipëria të cilët edhe do të arrin me kohë në Prizren. “Janë dy futbollistë nga Shqipëria të cilët jemi duke biseduar me ta dhe të shohim nëse ia dalim të merremi vesh, ata do të na bashkohen me kohë me skuadrën”. Pos këtyre dy futbollistëve, Gashi bëri të qartë se janë një sërë futbollistësh të rinj të Ballkanit të Therandës të cilët vet iu kanë ofruar Lirisë. “Nuk e di çfarë po ngjanë në skuadrën e Ballkanit, por janë disa futbollistë të cilët na u kanë ofruar vetë dhe dëshirojnë të veshin fanellat e klubit tonë. Janë futbollistë të rinj dhe të talentuar por ne nuk dëshirojmë të bisedojmë me ta pa biseduar një herë me drejtuesit e Ballkanit”, tha Gashi duke pohuar se nuk dëshiron ti prish marrëdhëniet me klubin therandas. Në fund Gashi pohoi se stërvitjet për edicionin e ri, Liria do ti filloi me 10 janar dhe deri atëherë skuadra do të jetë e gatshme për trajnerin, Gjinali.

Besa ka forcë për trofe

“KF Besa është njëra ndër skuadrat më stabile në vend. Ia kemi dalë që me fond jo shumë të madh të futbollistëve të renditemi në pozitën e tretë. Shpresojmë që në fund të fitojmë njërin nga trofetë’, tha Valdet Shoshi, trajner.
Besa e Pejës stinorin vjeshtor e ka përmbyllur në pozitën e tretë të renditjes tabelare, me 26 pikë të tubuara, pas shtatë fitoreve dhe pesë barazimeve e po aq humbjeve. Me këtë bilanc një pozitë më poshtë renditet Liria, por pejanët janë më lart vetëm në saje të goldallimit më të madh. Megjithatë trajneri i skuadrës së Besës mburret me rezultatet e arritura gjatë pjesës së parë të edicionit, ndërkaq shprehet se me prurje të reja Besa do të mund t’ia del të rrëmben njërin nga trofetë. “Nëse i shikojmë fondet e përbërjeve të skuadrave tjera ne duhet të jemi të kënaqur me arritjen e pozitës së tretë në renditje. Nuk është turp të jemi pas Prishtinës dhe Hysit, pasi ata kanë një sërë futbollistësh në formacionet e tyre dhe kanë zgjedhje më shumë se ne. Gjithashtu duhet theksuar se jam i kënaqur që jemi para Lirisë edhe pse vetëm falë goldallimit, mandej mos të harrojmë se edhe Ballkani i Therandës ka pasur futbollistë të dalluar por nuk ia doli të jetë para nesh. Janë këto fakte që na bëjnë të ndihemi mirë me rezultatet e arritura në vjeshtë”, tha fillimisht trajneri, Shoshi. Timonieri pejan më pas shtoi se skuadra të cilën ai e drejton ka nevojë edhe për dy tre futbollistë me përvojë në skuadër. ‘Na duhet patjetër që të sigurojmë shërbimet e një futbollisti sulmues, i cili do të zgjidhte problemin para portave rivale. Por kryesisë ia kam parashtruar edhe kërkesën e një futbollisti që duhet të na ndihmojë në qendër të mbrojtjes”, tha më pas Shoshi. Ky i fundit shprehet optimist se skuadrën të cilën ai e drejton do ti bashkohet gjatë afatit kalimtar, pejani, Dukagjin Gashi, i cili stinorin e fundit mbrojti ngjyrat e Drenicës. Sipas Shoshit ai vetëm ia ka dhanë fjalën drejtuesve të klubit pejanë që të mbrojë ngjyrat e Besës në stinorin vijues. “Është e sigurt se bisedat mes Gashit dhe kryetarit të klubit kanë qenë të frytshme. Dhe me sa e di unë ai vetëm ia ka dhanë fjalën kryetarit që në pranverë do të jetë pjesë e Besës. Megjithatë derisa nuk është arritur marrëveshja zyrtare mbesim të presim. Në rast që Gashi bëhet pjesë e ekipit atëherë nuk besoi se duhet të mendojmë për ndonjë sulmues tjetër” bëri të ditur Shoshi. Më pas ai tha se futbollistët e Besës pushimet do ti vazhdojnë deri me 10 janar, kur edhe është caktuar data e grumbullimit të skuadrës. “Deri me 10 janar jemi në pushim, atëherë do të jetë takimi i parë me futbollistë dhe në bazë të marrëveshjes me kryesinë duhet të vendosim edhe për vendin se ku do të vazhdojmë të stërvitemi për pjesën pranverore”, tha në fund Shoshi, i cili tha se pretendon që pos përforcimeve eventuale në skuadër të ruajë ata futbollistë që ishin pjesë e Besës në vjeshtë.

Futsalli po merr hovin

Futsalli duket se i ka marrë zemrat e futbolldashësve të Kosovës. Dita-ditës ky sport po mbledh rreth vetës adhurues të shumtë të këtij sporti, që më parë nuk kishte funksionuar së paku në mënyrë të organizuar tek ne. Pos futbollit të madh, loja e futbollit ishte kuptuar edhe me lojën e futbollit të vogël, me anë të së cilës topi ishte rrokullisur thuajse në çdo lagje a po rrugë të qyteteve e fshatrave të Kosovës. Por me të filluar loja e organizuar e futsallit, e cila së pari ishte luajtur në formë të turneve, ku xhiroja ishte zhvilluar në një palestër në të njëjtën ditë, tani ka filluar të ketë rrjedhën normale të një kampionati, ku secila skuadër një herë luanë në shtëpi e javën e tjetër në udhëtim, ka filluar të ketë ngritje edhe të cilësisë. Edhe disa futbollistë të Superligës, të cilët kishin lënë gjurmë në skuadrat e futbollit të madh, tani më ia kanë kthyer shpinën atij për t’iu përveshur punës në futsall, siç janë vëllezërit, Synaj e Suad Keçi, Hysni Muzlija, Denis Krasniqi, Artan Lama, Xhevat Avdyli etj.

Në futsall është më vështirë

Ish futbollisti i një sërë skuadrash të futbollit të madh, Suad Keçi, i cili tani është duke luajtur për skuadrën kryeqytetase, Bamboo, me të cilën vitin e kaluar ishte kampion i Kosovës, shprehet se loja e futsallit lejon shumë më pak gabime se sa loja e futbollit të madh. Për më tepër ai futsallin e krahason me lojën e shahut, që sipas tij gabimet vështirë janë që të përmirësohen. “Futbolli i madh të lënë hapësirë për tu përmirësuar në rast që gabon në raste të caktuara pasi edhe hapësira në fushë është më e madhe dhe ke mundësi të mbulohesh nga bashkëlojtarët. Ndërkaq në futsall është ngjashëm si në shah, në rast që e humb topin mund të sanksionohesh menjëherë me gol nga kundërshtari, i cili edhe e pret gabimin tënd”, tha fillimisht Keçi. Ai më pas shtoi se edhe kushtet që ofrojnë skuadrat e futsallit tani janë të nivelit të kënaqur, që është edhe njëra prej arsyes që sipas Keçit disa nga futbollistët profesionist në vend po e braktisin futbollin e madh për lojën në sallë. “Skuadra e Bamboos është sjellë sipas marrëveshjes me neve dhe jemi shumë të kënaqur me kushtet të cilat na ka ofruar. Si rezultat i kushteve të mira edhe titulli i kampionit nuk ka munguar të cilin e fituam në edicionin e kaluar dhe shpresoj që edhe këtë vit do ta përsërisim”, tha ai. Sipas Keçit përveç Besës dhe skuadrës tij të cilat janë në krye të renditjes në tabelë, janë edhe një sërë skuadrash tjera të cilat kanë ndikuar të ketë ngritje të kësaj loje tek ne. “Pos këtyre dy skuadrave të para, janë edhe Liburni dhe Feniksi të cilat kanë organizim të mirë dhe e pasqyrojnë atë me lojën në parket. Por janë edhe katër skuadrat tjera të fundit në tabelë që nuk dallojnë shumë nga cilësia dhe fituesi asnjëherë nuk mund të parashikohet para kohe. Ky fakt ka bërë që edhe palestrat të jenë të mbushura me adhurues”, citoi Keçi, i cili tha se mund të mburren me numrin e madh të shikuesve në krahasim me atë të rajonit. “Numri i shikuesve është më i madhi në rajon e nuk mungon as cilësia, shpresoi se me daljen në arenën ndërkombëtare të kemi edhe suksese”, përfundoi Keçi.

Besa - kampion vjeshtore

Kampion vjeshtor i futsallit, për herë të parë u shpallë këtë vit Besa e Pejës, e cila ngërthen ndër vete edhe lojtarë të Malit të Zi. Ish futbollisti i KF Besa, tani i skuadrës së futsallit, Hysni Muzlia shprehet se investimet e duhura në skuadër kanë ndikuar që ata këtë vit të shpallen kampion vjeshtor. “Drejtuesit e FC Besa kanë sjellë futbollistë të dalluar, në mesin tonë kemi edhe futbollist të cilët luajnë për kombëtaren e Malit të Zi në futsall. Pasi ata janë të pranuar në arenën ndërkombëtare kanë zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësuesen e shtetit të tyre. Në këtë mënyrë na kanë sjellë përvojën e tyre në skuadrën tonë, ku edhe rezultatet nuk do të mungojnë”, tha Muzlia. Më pas ky i fundit tha se skuadra e tij është vetëm në gjysmë të rrugës dhe shpresojnë që në fund të edicionit të shpallen kampion. “Kemi potencial dhe organizim që kampionatin ta fitojmë në këtë vit dhe ta ruajmë titullin vjeshtor të cilin e arritëm gjatë lojërave të pjesës së parë të edicionit”, tha ai. Në fund Muzlia shtoi se fakti që disa nga futbollistët po kalojnë nga futbolli i madh në fustall është edhe mosha më e madhe e tyre. “Futsalli të lejon të luash edhe më në moshë ndërkaq futbolli i madh do më shumë angazhim, ky ndoshta është edhe faktori kyç”, tha në fund Muzlija.

Liridon Zeqiri - mbret i boksit

Boksieri Liridon Zeqiri, i klubit të boksit, Drita nga Gjilani, është shpallur boksieri më i mirë i vitit 2010, nga ana e Federatës së Boksit të Kosovës, përkatësisht komisioni i kësaj federate në përbërje: Xhevdet Peci, kryetar, Sylejamn Voca dhe Latif Demolli, anëtarë. Zeqiri edhe vitin e kaluar kishte fituar këtë epitet, ndërkaq pas tij u renditën: Burim Hasani (Fushë-Kosova), Fatos Feriz (Kosova), Egzon Muqolli (Peja), Burhan Zeneli (Trepça ’89), Kreshnik Kokollari (Prizreni), Bujar Sejdiu (Kosova), Fetah Leskovica (Kastrioti), Ismet Dobratiqi (Prishtina) dhe Durim Thaçi (Gjakova137).
Boksieri më i mirë i juniorëve u shpallë Armend Xhoxhaj i Prizrenit, ndërkaq në mesin e dhjetë më ët mirëve ishin edhe Besart Xhafa (Trepça ’89), Arian Gashi (Gollaku), Gazmend Gashi (Gollaku), Alban Qiriçi (Fushë Kosova), Krijon Shehu (Gjakova137), Flamur Elezaj (Peja), Qëndrim Neziri (Kastrioti), Visar Rexhepi (Drita), Lirim Bajrami (Fushë Kosova).
Shpresa e Boksit u shpallë, boksieri i Trepçës ’89, Fisnik Muharremi. Ndërkaq Klubi më i mirë për vitin që po e lëmë pas u shpallë, KBox “Prizreni”.
FBoxK, me mirënjohje i nderoi edhe katër boksieret: Fatlume Ahmeti (Drita), Albulena Gubetini (Trepça ’89), Marigona Beadini (Prishtin) dhe Minavere Hyseni (Kastrioti).
Juria ka shpallur edhe trajnerin më të mirë, epitet i cili i takoi trajnerit të Fushë Kosovës, Shefki Bogujevci. Ndërkaq gjyqtari më i mirë u shpallë, ai ndërkombëtar, Latif Demolli. Punëtori më i mirë sportive u shpallë Sylejman Voca. Të pranishmit iu drejtua edhe kryetari i Federatës së Boksit ët Kosovës, Ramadan Selimi i cili e vlerësoi të suksesshëm këtë vit kalendarik për boksin e Kosovës. A citoi organizimin e suksesshëm të turneut ndërkombëtar “Adem Jashari”, i cili u mbajt për herë të dymbëdhjetë në Prishtinë. Selimi tha se ishin të kënaqur me cilësinë e lartë të organizimit të bërë në Kosovë në kuadër të Euroligës e turneve ndërkombëtare.

Muçiqi: Obligimet do t’i kryejmë para Vitit të Ri

Prishtina do t’i kryejë të gjitha obligimet financiare që ka ndaj futbollistëve të saj para festës së Vitit të Ri. Një premtim të tillë e ka dhënë të hënën nënkryetari i klubit bardhekaltër, Afrim Muçiqi, në takimin e fundit me futbollistë për këtë vit. “Kemi pasur një takim përmbyllës për këtë vit me futbollistët dhe shtabin teknik, me ç’rast i kemi përgëzuar ata për një stinor shumë të suksesshëm dhe u kemi dhënë pushim deri më 15 janar, kur do të fillojnë përgatitjet për stinorin pranveror. Po ashtu, i kemi inkurajuar që të vazhdojnë me të njëjtin ritëm edhe në pranverë. Nga ana jonë jemi zotuar se do t’i kryejmë të gjitha obligimet financiare që kemi ndaj tyre para festës, në mënyrë që ta përmbyllim këtë vit me sukses në të gjitha aspektet”, ka theksuar Afrim Muçiqi, nënkryetari i klubit. Ai ka bërë të ditur se klubi u ka borxh futbollistëve një cikël të premive dhe pagën për muajin nëntor, por e ka përjashtuar çdo mundësi pakënaqësie në radhët e klubit. “Bordi i klubit ka për qëllim që në vitin e ri të hyjë pa asnjë cent borxhe ndaj futbollistëve dhe stafit teknik të skuadrës. Futbollistët e kanë dhënë maksimumin e tyre në stinorin vjeshtor dhe meritojnë çdo cent të premtuar. Atmosfera në klub në vazhdimësi në këtë edicion ka qenë e mirë dhe s’kemi pasur kurrfarë telashesh”, ka nënvizuar Muçiqi. Prishtina tash për tash nuk ka paraparë ndonjë përforcim për stinorin pranveror, por nënkryetari i klubit e ka lënë të hapur mundësinë që të ketë lëvizje në tregun e futbollistëve. “Ne do të veprojmë në bazë të kërkesës së shtabit teknik. Tash për tash si shtabi teknik, ashtu edhe ne jemi të kënaqur me potencialin që ekziston. Mirëpo, nëse do të ketë ndonjë largim, atëherë sigurisht se do të reagojmë me kohë, në mënyrë që pranverën ta presim të kompletuar”, ka shtuar Muçiqi. Ai është shprehur optimist për pranverë, derisa ka bërë të ditur se nënshkrimi i kontratave të reja me Isuf Llumnicën, Azem Ahmetin dhe Driton Vokshin do të bëhet shumë shpejt, pas finalizimit të disa detajeve të vogla. “Prishtina do të hyjë me objektiv të qartë në pranverë për ta fituar titullin dhe kupën, pasi kemi potencial që ta arrijmë këtë. Në kampionat kemi pasur një ecuri shumë të mirë në vjeshtë dhe besoj se kështu do të vazhdojmë edhe në kaptinën e dytë, ndërkaq në garat e kupës jemi të vetëdijshëm se nevojitet edhe fati, por jemi optimistë se do t’ia arrijmë t’i përballojmë të dyja frontet me sukses”, ka përfunduar Muçiqi. Prishtina e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e parë, me 6 pikë epërsi ndaj ndjekësit më të afërt, Hysit, që njëherësh është edhe konkurrenti i vetëm serioz i bardhekaltërve në garën për titull kampioni.

Vëllaznimi shpreson në ditë më të mira

Vëllaznimi është njëra nga skuadrat që është duke përjetuar krizën më të madhe në këtë edicion në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Gjakovarët janë futur në një krizë të thellë financiare, gjë e cila ka reflektuar edhe në rezultatet e kësaj skuadre në stinorin vjeshtor. Megjithatë të enjten janë dhënë sinjalet e para për ditë më të mira në këtë klub. Në fakt, për herë të parë që nga përfundimi i stinorit vjeshtor dje është mbledhur kryesia e klubit dhe shtabi teknik i skuadrës për të diskutuar gjendjen aktuale në klub dhe hapat që duhet marrë për të dalë sa më shpejt nga kriza. Menaxheri i klubit gjakovar, Ahmet Morina ka shprehur shpresën se deri në fillim të vitit të ardhshëm do të dilet nga situata tejet e vështirë në të cilën ndodhen kuqezinjtë. “Takimi është zhvilluar me qëllim që të organizohemi sa më mirë për pranverë, ndonëse aktualisht jemi në një krizë të madhe. Kryetari i klubit Agim Koci është duke bërë çmos që ta nxjerrë klubin nga kjo situatë dhe në këtë drejtim është duke punuar së bashku me kryetarin e KK të Gjakovës, Pal Lekaj. Janë tri variante në të cilat po punohet se si të dilet nga kriza, prandaj mbesim me shpresë se njëra prej këtyre do të finalizohet”, ka thënë Morina, pa sqaruar detajet e këtyre varianteve. Ai ka bërë të ditur se klubi u ka nga dy paga borxh futbollistëve dhe stafit tjetër të skuadrës dhe po punohet që këto obligime të kryhen sa më shpejtë. “Kryesia u zotua se do të bëjë çmos që njërën pagë ta kryejë para festës së Vitit të Ri, kurse pagën tjetër para fillimit të përgatitjeve për stinorin pranveror. Po ashtu u pajtuam që të sjellim së paku katër përforcime gjatë afatit dimëror, sepse jemi të vetëdijshëm se me këtë fond që kemi është e vështirë ta përballojmë stinorin pranveror ku na pret një luftë e ashpër për ta siguruar mbetjen në elitë”, ka nënvizuar Morina. Ai nuk ka dhënë emrat e futbollistëve për të cilët kuqezinjtë janë të interesuar, mirëpo ka thënë se janë në bisedime me dy futbollistë. “Në bisedime jemi me dy futbollistë dhe marrëveshja nuk duket e largët, derisa të enjten kemi marrë edhe dy propozime tjera nga trajneri Ajet Shosholli dhe tash do të shohim se sa janë të interesuar ata lojtarë t’i bashkohen klubit tonë”, ka pohuar Morina. Sipas tij nëse premtimet e dhëna nga krerët e klubit do të realizohen, atëherë Vëllaznimin e pret një pranverë shumë më e suksesshme, derisa ka thënë se tash për tash nuk ka ndonjë kërkesë për t’u larguar nga skuadra. “Duket se edhe futbollistët janë duke pritur se çfarë do të ndodh në ditët e ardhshme, por edhe nëse do të ketë kërkesa për largim ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, sepse jemi njëra nga skuadrat me përbërjen më të re dhe jemi të vetëdijshëm se pa disa përforcime cilësore nuk mund t’i shmangemi rrezikut për rënie nga elita”, ka përfunduar Morina. Vëllaznimi stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e 9-të, e cila në fund të kampionatit çon në balotazh. Gjakovarët në 17 ndeshje regjistruan pesë fitore, katër barazime dhe tetë humbje.

Sigal Prishtina, ashtu si i ka hije

Basketbollistët e Sigal Prishtinës e kanë vlerësuar stinorin vjeshtor në BKT Superligën e Kosovës si të suksesshëm, në të cilin kanë pësuar vetëm një humbje nga Bambi, dhe atë në start të edicionit të ri. Njëri nga lojtarët më frytdhënës të Sigal Prishtinës në fazën e parë të edicionit, alo-qendra Besnik Podvorica, është shprehur i kënaqur me paraqitjet e deritanishme të skuadrës së tij, megjithatë ai ka premtuar se në stinorin pranveror, atëherë kur edhe fillon lufta e vërtetë për trofe, bardhekaltrit do të jenë më të fortë se kurrë më parë. “Sigurisht se duhet të jemi të kënaqur me tërë atë që dëshmuam deri më tani, megjithatë ne duhet të vazhdojmë të punojmë me këtë ritëm nëse dëshirojmë t’i realizojmë qëllimet tona, e ato janë mbrojtja e trofeve të fituara për vite me radhë”, është shprehur Podvorica, i cili ka shtuar: “Deri më tani e kemi kryer vetëm gjysmën e punës, ndërsa gjysma tjetër, ajo më e vështira dhe më e rëndësishmja, na pret në stinorin pranveror. Jemi të vetëdijshëm se në fazën e dytë skuadrat do të lëvizin sa u përket përforcimeve dhe në këtë mënyrë do të rritet konkurrenca ndërmjet klubeve, gjë që shkon në dobi të basketbollit kosovar, sepse kjo do të thotë se do të ketë ngritje të cilësisë dhe se sërish palestrat do të jenë të mbushura me shikues”. Ndërkohë edhe basketbollisti Alban Veseli ka thënë se bilanci prej 12 fitoreve e 1 humbjeje është real për skuadrën bardhekaltër. “Humbja në start të edicionit nga Bambi ka qenë më shumë si pasojë e ndryshimit të rregullave që janë bërë në këtë vit, sepse më pas ne dëshmuam se jemi po i njëjti klub, pra ai që synon majën në basketbollin e Kosovës”, ka nënvizuar Veseli, i cili ka pohuar se nuk i ka dëshmuar vlerat e tij të vërteta në stinorin vjeshtor. “Mendoj se lojërat që i kam treguar deri më tani nuk janë e tëra çka pritet nga unë, sepse jam i sigurt se mund të jap edhe më shumë, gjë që do ta bëj në fazën e dytë të edicionit”, është shprehur Veseli. Duhet theksuar se deri në përfundim të stinorit vjeshtor ka mbetur vetëm edhe një xhiro, në të cilën Sigal Prishtina është mysafire e Bashkimit të Prizren, derisa faza e dytë e edicionit pritet të startojë më 19 e 20 shkurt të vitit të ardhshëm.

Dy kosovarë përforcojnë Renovën?

Kapiteni i Prishtinës, mbrojtësi Behar Maliqi dhe mesfushori i Hysit, Mentor Zhdrella janë dy futbollistët kosovar që mund të përforcojnë radhët e kampionëve aktual të Maqedonisë, Renova, gjatë miniafatit kalimtar të janarit. Një lajm i tillë është publikuar edhe në gazetat kosovare, të cilët shkruajnë klubi i cili drejtohet nga trajneri kosovar Bylbyl Sokoli është i interesuar për, ndoshta, dy lojtarët më të mirë për momentin në Kosovë.
Maliqi u ka thënë mediave të atjeshme se ndihet i lumtur që për shërbimet e tij interesohet Renova, por ka shtuar se së pari do të bisedonte me skuadrën aktuale e më pas të vendos për hapat e mëtejmë. “Unë kam kontratë me Prishtinën deri në fund të këtij edicioni, dhe sigurisht se përqendrimi im mbetët te klubi në të cilin jam. Në rast se do të kemi kërkesë konkrete nga Renova atëherë do të vendosim për hapat e mëtejmë, por së pari klubi duhet të ma jep dritën jeshile”, ka thënë ai. Renova, pos Maliqit është e interesuar edhe për shërbimet e mesfushorit të Hysit, Mentor Zhdrella. Në ditët në vazhdim priten kontaktet e Renovës me dy skuadrat e para të renditjes së futbollit të Kosovës, Prishtinën, lidere e stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës, dhe Hysin e vendit të dytë.
Ndryshe, Renova në fund të sezonit vjeshtor doli në vend të dytë me 34 pikë, një më pak se lider – Shkëndija.
Klubi nga Xhepçishti do t’i vazhdojë stërvitjet deri ditën e premte dhe pastaj do të marrin pushimin e merituar. Në ndërkohë kryesia e klubit do të nis bisedimet me lojtarët që u kanë përfunduar kontratat, siç janë: Elezi, Gafuri, Emini, Aliu dhe Memedi.