Flamuri shqiptar edhe njëherë bëhet subjekt i incidenteve vandale ndëretnike, ndërsa kësaj radhe janë të përfshirë tifozët maqedonas gjatë një ndeshje basketbollistike.
Sipas agjencisë së lajmeve INA, palestra e qytetit të Shkupit ishte dëshmitare e një incidenti tjetër ndëretnik. Në ndeshjen mes dy rivalëve lokalë nga Shkupi, Rabotniçkit dhe Lirisë, tifozët maqedonas në palestër dogjën flamurin shqiptar dhe kënduan këngë anti-shqiptare me brohoritje të tilla si “Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët”.
Zyratrët e Federatës Maqedonase të Basketbollit të pranishëm në sallë, ashtu si autoritetet tjera nuk reaguan për këto gjeste vandale të cilat e shndërruan ndeshjen nga karakteri sportiv në atë politik.
Nuk është hera e parë që kombi shqiptar fyhet në ngjarjet e mëdha sportive. Gjatë tetorit në ndeshjen kualifikuese e cila u zhvillua në Genoa të Italisë mes Italisë dhe Serbisë, tifozët serbë dogjën flamurin shqiptar nën syrin e opinionit mbarë botëror. /