Josip Kuzhe bën një bilanc të përfaqësueses kuqezi në vitin që po lëmë pas, duke e vlerësuar atë një vit plot suksese dhe emocione.
Në një intervistë dhënë faqes serbe “Novosti.rs” dhe gazetës boshnjake “Dnevni Avaz”, Kuzhe vlerëson paraqitjen e kombëtares shqiptare gjatë 2010-ës. “Ndeshja ndaj Rumanisë është më e mira që kemi zhvilluar, që kur jam në krye të përfaqësueses shqiptare”, pohoi trajneri kroat. “E luajtëm mirë atë ndeshje, do të thoja pa bërë gabime. Në aspektin taktik qëndruam shumë mirë në fushë dhe golin e pësuam nga një goditje standarde”. Shqipëria barazoi 1-1 ndaj Rumanisë në Bukuresht, në takimin e parë eleminator të “Euro 2012”-ës.
Lidhur me situatën në grupin tonë eliminator, Kuzhe nuk është aspak i habitur me dominimin francez duke u shprehur: “Mos vallë prisnit që Franca të vazhdonte rënien që pati në Botëror?”. 57-vjeçari mbyll një vit që i ka sjellë plot suksese në krye të stolit kuqezi: vetëm një humbje për kombëtaren shqiptare, ajo ndaj Bjellorusisë 2-0. Por Kuzhe nuk udhëtoi me skuadrën në Minsk, për shkak të hemorragjisë cerebrale të pësuar një javë para sfidës me Bosnjë-Hercegovinën në Tiranë (1-1). Goditja për fat nuk la pasoja tek tekniku kroat, i cili parashikon një 2011 akoma më të sukseshëm për ngjyrat kuq e zi.