24 dhjetor 2010
Fejzullahu bën paralele mes vetes dhe Ibrës
Karlshamn - Sulmuesi kosovar Erton Fejzullahu, ka nxjerrë një paralele mes vetes dhe yllit të Përfaqësueses së Suedisë, Zlatan Ibrahimoviq. Fejzullahu nuk ka pasur sukses në stinorin e tij të parë në elitën e futbollit suedez me NEC Nijmegenin dhe po ashtu po ka vështirësi edhe këtë stinor. Mirëpo, mitrovicasi 22-vjeçar insiston se edhe Ibrahimoviq në fillimin e tij në Holandë u kritikua.
"Unë i shoh gjithë këto që kanë ndodhur në vjeshtë si mësim. Zlatan Ibrahimoviqi po ashtu u kritikua gjatë ditëve të tij të para në Holandë", ka thënë Fejzullahu, shkruan "FotbolDirekt.se" të mërkurën.
Fejzullahu në fillim të vitit të kaluar pati sukses të madh me Mjallbyn në Ligën e Dytë të Suedisë ku shënonte vazhdimisht gola. Kjo edhe rezultoi me një transferim të tij te NEC-i në elitën e futbollit holandez. Por, kosovari nuk vazhdoi me suksese të njëjta edhe në Holandë. Ai pati probleme të vazhdueshme edhe me lëndime.
"Unë në fillim të këtij edicioni pësova një lëndim të gjurit, pikërisht në fazën përgatitore kur trajneri përcaktohet për skuadrën e tij më të mirë. Kjo edhe është arsye që trajneri nuk po më beson shumë", ka thënë Fejzullahu.
Madje kosovari kishte menduar edhe të largohet nga NEC-i dhe ky opsion është ende i hapur. Por, sulmuesi 22-vjeçar është i bindur në aftësitë e tij. Madje aq shumë, sa thotë se mund të luajë në skuadrat më të mëdha të futbollit evropian.
"Unë besoj në vete dhe kam një synim që të luaj për një top skuadër në Serie A, Primera Division apo Premier League. Jam ende i ri", ka thënë Fejzullahu.
Fejzullahu ka kontratë e NEC-in deri në vitin 2013 dhe është shkruar për një mundësi që ai të huazohet te Mjallby, por kosovari mohon këtë gjë.
"Kjo kurrë nuk ka qenë opsion. Por, mund të them një gjë. Nëse kthehem në Suedi, atëherë do të bëhem golashënuesi më i mirë", ka shtuar Fejzullahu.