Torino - Felipe Melo regjistron një bilanc pozitiv në vitin që është duke u mbyllur. "Viti 2010 ka qenë një vit shumë pozitiv në çdo pikëpamje. Shumë herë humbjet dhe momentet e vështira shërbejnë si leksione. Për fat të keq nuk kemi arritur të fitojmë kupën e botës. Por në vitin 2010 jam kthyer edhe në maksimumin e formës time me Juventusin", është shprehur mesfushori shkatërrues brazilian. "Pas shumë fjalëve që qarkullonin se unë kisha marrë fund, në gjashtë muaj jam transformuar në një idhull për tifozët bardhezi", ka shtuar Felipe Melo. Momenti i tij më i vështirë ka qenë eliminimi i Brazilit në Holanda në çerekfinalet e Botërorit të zhvilluar këtë verë në Afrikën e Jugut: për Felipe Melon, një autogol dhe një ndëshkim me karton të kuq në atë ndeshje pas asistit të golit të avantazhit momental të Selecaos dhe pas asaj ndeshje ka menduar të largohet përfundimisht nga futbolli. "Është normale ta mendosh, por kjo nuk më ka hequr ëndrrat. Futbolli është një lojë në të cilën gjithçka mund të ndodhë, jemi qenie njerëzore dhe mund të ndodhë që të gabojmë. Barazimi i Holandës është shkaktuar nga një gabim kolektiv, ka ndodhur dhe kaq mjafton. Pas golit të dytë, skuadra është tronditur shumë psikologjikisht, nuk ishte më në fushën e lojës". Tashmë Felipe Melo duket se ka ndryshuar shumë: "Nuk jam bërë më i pjekur për shkak të asaj që ka ndodhur në Botëror. Eksperienca në Afrikën e Jugut më ka ndihmuar në nivel profesional, për të qenë më i qetë në fushën e lojës dhe për të dëgjuar disi më shumë njerëzit". Pas asaj aventure të shëmtuar në Afrikën e Jugut, braziliani ka menduar edhe t'i japë lamtumirën këtij sporti, "sepse njerëzit mendojnë që ekziston vetëm Felipe Melo futbollist, ndërkohë që prapa është një njeri dhe një familje".
"Ka qenë një moment shumë i vështirë, pranon braziliani për "Globo Esporte" nuk dëshiroja të kthehesha tek Juventusi. Por, kam një kontratë dhe një familje që më ndihmon dhe më jep forcë në çdo moment të vështirë. Dhe kthimi tek Juventusi ka qenë një sfidë e madhe që po e jetoj aktualisht. Ndjej dashurinë dhe mbështetjen e shumë tifozëve". Felipe Melo refuzon etiketën e një lojtari të dhunshëm: "Jam një lojtar i fortë e i ashpër, por asnjëherë një lojtar i pandershëm. Dhe pas Botërorit të kësaj vere kam ndryshuar shumë, deri në pikën që pas shumë ndeshjesh kam marrë vetëm katër kartona të verdhë". Më pas, kthehet tek kartoni i verdhë që i është dhuruar nga arbitri Kristian Brigi. "Ka qenë një xhest mirënjohje shumë i madh për mua. Më pas shtypi italian ka filluar të dallojë edhe ndryshimin tim pozitiv. Nga ana tjetër, teknikisht nuk jam kritikuar asnjëherë, ishte koka ime ajo që kritikonin", nënvizon ai, përpara se të flasë për objektivat e të ardhmes, tek ato me terma afatshkurtër tek skuadra bardhezi dhe ato me Selecaon, që është ende një pasion i madh për të. "Juventusi është shumë mirë, jemi pesë pikë larg nga Milani dhe jemi një skuadër e re që ka treguar shumë qartë, se mund të luftojnë për objektiva të mëdhenj. Nuk flas për titullin kampion, sepse duhet të mendojmë ditë pas dite dhe të luajmë në çdo ndeshje sikur të ishte një ndeshje finale". Ëndrra e Felipe Melos? "Dëshiroj të bëhem kampion bote në Brazil në vitin 2014", ka përfunduar braziliani komentin e tij..