Lorik Cana ishte lojtari më luftarak dhe më agresiv i sezonit vjeshtor te gjiganti turk, Galatasaray.
Si rezultat i kësaj, mesfushori kosovar është ndëshkuar me një total prej tre kartonësh të verdhë, derisa në ndeshje me Konyasporin u desh të largohej nga loja pasi u ndëshkua me karton të kuq, pas incidentit në të cilin ishte protagonist në fund të ndeshjes, kur pati një zënkë me një bashkëlojtar.
Për këtë, ai u zgjodh lojtari më i ‘egër’. Ndërkohë, Komiteti Disiplinor i Superligës turke e ka dënuar me dy ndeshje pezullim Lorik Canën, pas përfshirjes në këtë zënkë. Cana u dënua për gjeste antisportive.
27-vjeçari mungoi në ndeshjen e Kupës së Turqisë, të cilën Galatasaray e zhvilloi ndaj Gaziantepsporit. Ai do të mungojë edhe në ndeshjen e 11 janarit, në fillim të sezonit pranveror të kampionatit turk.
Asnjë lojtar tjetër i klubit nga Stambolli nuk është ndëshkuar me karton të kuq në sezonin vjeshtor. Mesfushori Ayhan pati katër kartonë të verdhë, kurse tre futbollistë të tjerë, Neill, Baros e Elano, e ‘shijuan’ nga tri herë zverdhjen.